Lidhje

Putini përball forcës së qytetarëve


Kryeministri Vladimir Putin korri një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë të djelën. Por tani ai përballet me një sfidë të re: klasën e mesme që po bëhet gjithnjë e më e fuqishme në Rusi.

Së pari, policia u përpoq të mos i lejonte njerëzit t’i bashkoheshin mitingjeve të opozitës.

Kur kjo nuk dha rezultat, ata filluan t’i arrestonin njerëzit...

Gjithsej u ndaluan 600 protestues në Moskë dhe Shën Petersburg.

Michael Dukhovich, organizator i një blloku partish pro-Putinit, thotë se protestuesit janë thjesht dështak.

"Do të qajnë ndoshta për nja dy ditë dhe pastaj do të qetësohen."

Por Konstantin Von Eggert, një analist rus, mendon se situata po e ndan Rusinë më dysh.

"Praktikisht janë qytetet e mëdha kundër pjesës tjetër të Rusisë, që është për të ardhur keq, pasi disa njerëz kanë filluar të flasin për një Rusi në dy drejtime, apo për dy Rusi, që ekzistojnë në të njëjtin vend.”

Gati 15 mijë njerëz qëndruan për dy orë në Moskën me dëborë për të protestuar ndaj fitores së zotit Putin.

Alexandra Dimitriyeva është votuese për here të parë – dhe protestuese për herë të parë.

"Dua të jetoj në një vend të lirë ku çdo qytetar të ketë zërin e tij… u mërzita nga heshtja. Doja të vija këtu dhe të shihja vetë situatën dhe të isha me të tjerët që ndjejnë të njëjtën gjë."

Alexey Naumov doli vullnetar të djelën si vëzhgues i zgjedhjeve.

"Nuk pati zgjedhje. Ato ishin të fallsifikuara. Nuk duroj dot më. Është e pamundur të jetohet kështu. Kjo është arsyeja që dola sot të them: e kundërshtoj këtë regjim.'"

Posterat – me parrullat si "6 vjet të humbur," reflektojnë atë që shumë mendojnë për të ardhmen. Shumë rusë llogarisin se sa vjeç do të jenë në vitin 2024, limiti i tanishëm kur zoti Putin pritet të largohet nga pushteti.

Tatyana Pariva, një student 19 vjeçare, është çuditur sesi zoti Putin fitoi 64 përqind të votave.

"E dimë që zgjedhjet nuk ishin të drejta pasi askush nga miqtë tanë nuk votoi për Putinin. Jemi të sigurtë se ato nuk ishin të drejta dhe duam të na kthehet vota jonë. Duam të numërohen votat tona."

Muajin e kaluar, gazeta Novaya Gazeta zhvilloi një garë për posterin më të mire të protestave.

Parrulla fituese ishte:

"Ne nuk jemi opozitë.

Jemi punëdhënësit tuaj.

Ne nuk protestojmë.

Ne ju pushojmë nga puna."

Analistët thonë se në se ky fuqizim i qytetarëve vazhdon të përhapet, pozita e zotit Putin në Kremlin do të bëhet gjithnjë e më e pasigurtë.

XS
SM
MD
LG