Lidhje

Qeveria e Kosovës bën thirrje për më shumë njohje të pavarësisë


Përfaqësues të qeverisë së Kosovës u bënë thirrje sot pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, ta bëjnë këtë, meqë arsyet ligjore për mosnjohje kanë pushuar pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës. Këto komente u bënë gjatë një konference më temën “Kosova thërret”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën nuk paraqesin një bllok politik kundër pavarësisë së saj.

“Nuk janë as bllok kundër pavarësisë së Kosovës dhe nëse e them në një formë më të thjeshtë arsyet janë të politikës së brendshme, arsyet nuk janë të politikës së jashtme. Mirëpo, pas marrjes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë gjitha këto vende nuk kanë ndonjë argument të fuqishëm legal që ta shtyjnë njohjen e Republikës së Kosovës”, tha ministri Hoxhaj.

Ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku, tha se njohja nga pesëshja evropiane do të krijonte hapësirë që pavarësinë e Kosovës ta njohë edhe Serbia e cila kundërshton ashpër shtetësinë e Kosovës.

“Kur të vulosim tërë njohjet e vendeve të Bashkimit Evropian, jo vetëm shteteve bilaterale apo Parlamentit Evropian por edhe Komisionit dhe organizatave të tjera me status neutral atëherë edhe rajoni që tenton t'i bashkohet Evropës nuk do të mund të injorojë konsensusin evropian. Derisa ky konsensus nuk arrihet rrugëtimi i kosovarëve do të jetë padrejtësisht më i gjatë dhe rreziqet sa do të shtohen”, tha ministrja Çitaku.

Ambasadori britanik në Prishtinë Ian Cliff, që ka mbështetur konferencën tha se nuk mund të pritet njohje e shpejtë e këtyre shteteve, ndërsa ritheksoi mbështetjen e vendit të tij edhe në këtë proces.

“Qeveria britanike vazhdon të jetë një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Kosovës dhe do të vazhdojmë të nxisim partnerët tanë në Bashkimin Evropian, në rajonin e Ballkanit dhe natyrisht në gjithë botën për të njohur Kosovën”, tha ambasadori Cliff.

Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se të 27 vendet anëtare duan që Kosova të jetë demokratike me sundim të ligjit, me qytetarë të lirë që e shohin të ardhmen brenda vendit të tyre.

“Është interesi ynë që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe ky është qëllimi i fundit për të cilin pajtohen të gjitha 27 vendet anëtare”, tha Zhbogar, duke përmendur fillimin e studimit të fizibilitetit për përfshirjen e Kosovës në marrëveshjen e stabilizim asocimit si një dëshmi të këtij përkushtimi.

Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008 dhe deri tash është njohur nga afro 90 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 22 vende të Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatët e saj.

XS
SM
MD
LG