Forcat rebele libiane janë detyruar përsëri të tërhiqen nga besnikët e qeverisë në betejën për kontrollin e qytetit të rëndësishëm të naftës në Brega. Njoftimet e medias perëndimore thanë se pavarësisht nga sulmi ajror i NATOs kundër një autokolone automjetesh ushtarake libiane, rebelët ishin detyruar të tërhiqeshin në lindje drejt qytetit Axhdabia. Kontrolli i rafinerive të qytetit të Bregas do të mund t’u jepte rebelëve mbështetjen e nevojshme ekonomike për të vazhduar luftën kundër udhëheqësit libian Moamar Gadafi. Ndërkohë, qeveria e Libisë thotë se është e hapur ndaj reformave politike por ka hedhur poshtë idenë e lënies së pushtetit nga Moamar Gadafi.
Zëdhënësi i qeverisë Musa Ibrahim tha se Libia ishte e hapur ndaj ndryshimeve politike, elektorale apo kushtetuese, por shtoi se zoti Gadafi do ta udhëhiqte tranzicionin.
“Ka politikanë dhe qeveri në botë që mendojnë se mund të vendosin të ardhmen e Libisë, por ne nuk e pranojmë këtë. Por meqenëse ne duam t’i dëgjojmë të gjithë, dhe duam ta ruajmë Libinë nga shkatërrimi dhe lufta civile, ne themi se do të përpiqemi të gjejmë një rrugë të mesme.”
Gazeta Nju Jork Tajms kishte njoftuar më herët se të paktën dy prej djemve të udhëheqësit libian i kanë propozuar zotit Gadafi të heqë dorë prej pushtetit dhe të lejojë tranzicionin në një demokraci kushtetuese nën drejtimin e djalit të tij Seif al-Islam Gadafi.
Dje, Italia vendosi të njohë Këshillin Kombëtar Libian të Tranzicionit si përfaqësuesin e vetëm legjitim të popullit libian.
I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Abdulla al-Katib, i cili u kthye kohët e fundit nga Tripoli dhe Bengazi, tha se autoritetet libiane ishin të gatshme të pranonin një armëpushim.
“Unë e informova këshillin rreth bisedimeve të mia me qeverinë libiane në Tripoli dhe i thashë se autoritetet libiane më kishin informuar se ishin të gatshëm të pranonin një armëpushim nën mbikqyrjen e vëzhguesve të paanshëm, nëse Këshilli Kombëtar i Tranzicionit bën të njëjtën gjë.”
Njoftimet e medias thonë se rebelët pritet të bëjnë dërgesën e parë të pavarur të naftës sot, ndoshta për në Katar.