Lidhje

Qeveria e përkohëshme greke bën betimin


Në Greqi, bëri betimin kabineti i ri i përkohshëm që do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, pasi rezultatet e paqarta të zgjedhjeve të 6 majit shkaktuan krizë politike dhe kanë vënë në pikëpyetje anëtarësinë e vendit në Eurozonë. Kabineti me 16 anëtarë, që drejtohet nga Panagiotis Pikrammenos bëri betimin sot në mëngjes në Rezidencën Presidenciale në Athinë. Betimi i qeverisë u parapri nga betimi i kryeministrit të përkohshëm.

Kryeministri i përkohshëm Panagiotis Pikrammenos e merr detyrën për një muaj, ndërsa Greqia e rënduar nga borxhet është përfshirë nga një krizë politike që ka vënë në rrezik anëtarësinë në Eurozonë.

“Është një qeveri e përkohëshme me një mision të vetëm: të organizojë zgjedhje në mënyrë që populli grek të shprehë vullnetin e tij dhe të ketë shansin të formojë një qeveri”, tha zoti Pikrammenos, pasi bëri betimin dhe u prit në zyrën e kryeministrit nga paraardhësi i tij Lucas Papademos.

“Karriera juaj, imazhi juaj publik dhe prestigji juaj paraqesin garanci se do të bëni çdo përpjekje për të përgatitur kushtet për qetësi dhe moderim gjatë periudhës zgjedhore”, tha zoti Papademos.

Kreditorët e Greqisë janë të shqetësuar nga pasiguria politike ashtu si edhe vetë grekët që kanë tërhequr qindra-miliona Euro nga bankat që nga zgjedhjet e 6 majit.

Gjykatësi 67 vjeçar Pikrammenos u emërua dje për të drejtuar një qeveri që nuk do të ketë mandat për të ndërmarrë angazhime detyruese deri në zgjedhjet e reja që pritet të mbahen më 17 qershor.

Në votimet e 6 majit, partitë që duan që Greqia të heqë dorë nga angazhimet e marrëveshjes ndërkombëtare të shpëtimit, me kushte për shtrëngime të rrepta financiare, patën një rritje të popullaritetit.

Shkurtimet e shpenzimeve dhe rritja e taksave e kanë lënë vendin të zhytur në recesion për të pestin vit me radhë dhe e kanë cuar shifrën e papunësisë në 21 për qind. Shumë grekë thonë se vendi nuk mund të shpresojë për rimëkëmbje nëse vazhdon t’i zbatojë këto masa.

Negociatat për një qeveri koalicioni dështuan të martën, nëntë ditë pasi votuesit, të zemëruar me me mënyrën e menaxhimit të krizës financiare braktisën dy partitë kryesore që më parë kishin qenë mbizotëruese në favor të grupeve më të vogla që janë kundër këtyre masave.

Asnjëra nga partitë nuk mori vota të mjaftueshme për të pasur shumicën në parlament.

Udhëheqësit e partive këmbëngulën që qeveria e përkohëshme të mos marrë vendime detyruese.

XS
SM
MD
LG