Lidhje

Qeveria Rama zhvillon mbledhjen e parë


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama zhvilloi mbrëmë mbledhjen e parë të qeverisë së tij, menjëherë pas betimit te presidenti Bujar Nishani.

Një ndër tre vendimet e para të firmosuar mbrëmë nga zoti Rama është ai për disa ndryshime në ligjin për trajtimin e integruar të mbetjeve urbane, të cilat cojnë në ndalimin e importit të mbeturinave.

Socialistët e kishin kundërshtuar dy vjet më parë miratimin e këtij ligji nga shumica e djathtë dhe bashkuan zërin me grupet e ambjentalistëve dhe të shoqërisë civile sipas të cilëve Shqipëria nuk ka mundësitë e kontrollit doganor dhe kufitar për të parandaluar hyrjen në vend të mbeturinave të rrezikshme e për pasojë vendi sipas tyre mund të kthehej në një kosh për plehrat e Europës.

Qeveria e atëhershme e kryeministrit Sali Berisha tha se legjislacioni ishte hartuar me asistencën e ekspertëve europianë dhe se importi i mbeturinave lejohej vetëm për një numër të kufizuar që bënte pjesë te lista e gjelbër e Komisionit Europian. Megjithatë, ambjentalistët nuk u tërhoqën dhe arritën të mblidhnin mbi 50 mijë firma duke fituar të drejtën e organizimit të referendumit, i cili nuk bëhet më i nevojshëm, pas vendimit të mbrëmshëm të qeverisë i cili me gjasë do të mbështetet dhe nga parlamenti.

Po ashtu qeveria e zotit Rama ka vendosur që në zyrat dhe institucionet e shtetit, në vend të fotos së presidentit të Republikës të vihet ajo e Ismail Qemalit, figurës kyçe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Vendimi i tretë i miratuar, ka qenë Kodi Etik Ministror. Kryeministri mblodhi qeverinë menjëherë pas betimit te presidenti Bujar Nishani, ndërsa më parë kishte marrë edhe votbesimin e parlamentit.

Sot ai pritet të nisë një vizitë dy ditore në Bruksel ku do të takohet me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian. Zoti Rama do të zhvillojë takime edhe në NATO, organizatë në të cilën Shqipëria është anëtare.
XS
SM
MD
LG