Në Shqipëri kryetari i partisë socialiste Edi Rama, propozoi sot gjatë mbledhjes së kryesisë që grupi parlamentar të nis procedurat për c'regjistrimin e deputetit Kastriot Islami. Propozimi i zotit Rama vjen pasi strukturat e larta të partisë socialiste kishin vendosur zbatimin rigoroz të ndëshkimeve sipas rregullores, në rast të shkeljeve të vendimeve politike të grupit parlamentar. Deputeti Islami, prej kohësh një kritik i hapur i zotit Rama dhe mënyrës së drejtimit të partisë socialiste, nuk mori pjesë të enjten në seancën ku u votua kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj, për të cilin socialistët kishin marrë një qëndrim të prerë politik për të votuar kundër. Vetë zoti Islami kishte shpjeguar sot në media arsyet pse nuk perkrahte një qëndrimi të tillë të marrë nga partia e tij. Burime nga mbledhja e kryesisë i shpjeguan Zërit të Amerikës se ditën e martë, grupi parlamentar përpara se të dalë me një vendim, do të organizojë një dëgjesë me zotin Islami, për të patur edhe argumentat e tij. Ndërkohë nga partia socialiste mësohet se grupi i saj në parlament mund të "humbasë" dhe një tjetër deputet. Ish kryeministri Pandeli Majko është propozuar si kandidat për dy funksione të larta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njëri prej të cilëve është ai i asistentit të sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate. “Propozimi për kandidaturën e tij është bërë nga partnerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilët dhe do ta mbështesin”, thanë burime nga partia socialiste. Në rast se ai do të fitojë këtë post, zoti Majko do të lerë mandatin e deputetit në parlamentin shqiptar. |
Rama, propozon nisjen e procedurave për shkarkimin e deputetit Kastriot Islami
- Armand Mero
