Lidhje

Kryeministri Rama bën thirrje për njohjen e Kosovës


Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të premten, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri thirrje për njohjen e Kosovës nga vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë. Kryeministri u ndal edhe në luftën kundër ekstremizmit, perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe angazhimin për të çuar më përpara të drejtat e grave.

Kryeministri Rama flet në Asamblenë e OKB-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Kryeministri shqiptar Edi Rama e shfrytëzoi fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për t’i bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë pasi kjo sipas tij do t’i shërbente sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.

“E kemi thënë edhe më parë dhe e përsërisim edhe sot: njohja e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve dhe ndihma që Kosova të ecë përpara, diçka që e kanë bërë 114 vende anëtare të OKB-së, është një kontribut i drejtpërdrejtë për një jetë më të mirë për qytetarët e saj dhe një investim për sigurinë dhe stabilitetin në mbarë rajonin, për të gjitha vendet, përfshi Serbinë”.

Duke u ndalur më tej në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit, kryeministri Rama paralajmëroi se kjo luftë duhet të vazhdojë megjithë përparimet e shënuara në fushën e betejës kundër Shtetit Islamik.

“Të mos gabojmë: mposhtja në terren nuk do të thotë se ai do të zhduket. Përgjigja jonë ndaj ekstremizmit, radikalizmit që çon në terrorizëm duhet të vazhdojë dhe të përshtatet me vetë natyrën e këtij kërcënimi të vazhdueshëm”.

Kryeministri tha se prova më e mirë e ndryshimeve të thella që po ndodhin në Ballkanin Perendimor qëndron tek përpjekjet e përbashkëta dhe synimin për ta bërë rajonin një pjesë të natyrshme të Evropës. Ai u bëri jehonë komenteve të presidentit të BE-së Junker para pak javësh për nevojën e rigjallërimit të politikave të zgjerimit.

“Siç tha Presidenti Junker në fjalimin e tij përpara vendeve të BE vetëm pak javë më parë: ekziston nevoja për një perspektivë të besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të sigurohet më shumë stabilitet në vendet fqinje me BE-në. Rigjallërimi i politikës së zgjerimit është parandalimi më i mirë për të kundërshtuar idetë e shpërbërjes të nxitur nga populizmi. Është besimi im i vendosur se BE-ja ka nevojë për Shqipërinë, po aq sa ka nevojë për një Ballkan Perëndimor më të fortë, më të zhvilluar dhe koherent”.

Kryeministri Rama tha se vendi i tij është plotësisht i angazhuar për të mbrojtur dhe çuar përpara të gjitha të drejtat e njeriut, në veçanti të drejtat e grave duke reklamuar nismën për të sjellë më shumë zërin e tyre në qeverisjen e vendit.

“Jam krenar të them se për herë të parë në historinë shqiptare ,gjysma e anëtarëve të qeverisë sime janë gra. Ato sjellin aftësi udhëheqëse, forcë karakteri dhe përkushtim ndaj vlerave tona evropiane dhe në veçanti për t'i shërbyer popullit shqiptar”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG