Lidhje

Kryetari i Komunës së Prizrenit shpallet fajtor për korrupsion


Një gjykatë në qytetin e Prizrenit në Kosovën jugore, shpalli fajtor kryetarin e kësaj komune Ramadan Muja dhe pesë zyrtarë të tjerë për përfshirje në korrupsion.

Zoti Muja u dënua me dy vjet heqje lirie me kusht dhe me 30 muaj pamundësim të ushtrimit të funksionit nën akuzat për shpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare. Sipas akuzës ai ngarkohej për dhënien e disa pronave shoqërore në shfrytëzim për disa kompani, me qëllim të përfitimeve personale.

Sipas prokurove në periudhën kohore ndërmjet dhjetorit të vitit 2010 deri në muajin prill të vitit 2011, zoti Muja dhe bashkëpunëtorët e tij kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre duke i dhënë tokën në pronësi shoqërore një fabrike private të çokollatës dhe një shkolle private.

Në zgjedhjet e fundit komunale zoti Muja nga radhët e Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi u rizgjodh në postin e kryetarit të Prizrenit që është komuna më madhe në Kosovë, pas Prishtinës.

Nëse dënimi i sotëm bëhet i plotfuqishëm, Prizreni do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
XS
SM
MD
LG