Lidhje

Reagime ndaj përgjigjes së Shqipërisë për lëndët kimike


Intervistë me ish ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Besnik Mustafaj

Në Tiranë, vazhdojnë reagimet për përgjigjen negative që Shqipëria i dha ftesës për të bashkëpunuar në shkatërrimin e lëndëve kimike luftarake të Sirisë. Krahas komenteve pro dhe kundër, Aleanca Kundër Importimit të Plehrave theksoi në një deklaratë publike se në të njëjtën mënyrë kundërshtoi edhe lëndët kimike. Sipas tyre, kjo protestë shërbeu si një proces i dobishëm për demokracinë shqiptare, ku u përfshinë kryesisht të rinjtë, të cilët për herë të parë nuk u kërcënuan nëpër tubime. Aleanca Kundër Importit të Plehrave deklaroi se krahas kundërshtimit mbi përfshirjen e Shqipërisë në këtë operacion, në asnjë çast Aleanca nuk ka vënë në dyshim partneritetin dy-palësh Shqipëri-SHBA, dhe dëshiron forcimin e marrëdhënieve afatgjata mes tyre. Ndërkohë, analistët dhe diplomatët publikojnë mendimet e tyre mbi ngjarjet. Ish-ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj, thotë se një nga gabimet e qeverisë shqiptare ishte mos-komunikimi i duhur me opozitën. Diplomati dhe shkrimtari i njohur, Mustafj, tha se kjo ngjarje nuk do të ndikojë aspak në marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe as me institucionet demokratike perëndimore.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj! Nisur nga përvoja juaj e gjatë në fushën e diplomacisë dhe të kulturës shqiptare, cilat janë përfundimet tuaja mbi përgjigjen negative që qeveria shqiptare i dha dje ftesës për të bashkëpunuar në procesin e shkatërrimit të armëve kimike siriane në territorin e Shqipërsië?

Besnik Mustafaj: Doni të thoni si e menaxhoi qeveria këtë proces. Mendoj se e menaxhoi keq në disa aspekte; së pari në angazhimin e shpejtë të kryeministrit pa e menduar gjatë nëse ishte në të drejtën dhe në kompetencën e tij të jepte një përgjigje përfundimtare, së dyti e menaxhoi në komunikimin me publikun, sepse nuk e informoi në mënyrën në kohën dhe në dinamikën e duhur për ecurinë e kësaj negociate, dhe së treti, e menaxhoi keq në marrëdhënie me opozitën. Ky duhej të ishte një vendim që duhej të merrej në bashkëpunim, ose minimumi, në një komunikim intensiv me opozitën. Por, përfundimi qe ai që duhej; tërheqja nga ky lloj operacioni, për arsyet që edhe kryeministri Rama i tha, sepse Shqipëria nuk ka as infrastrukturën as ekspertizën e nevojshme, dhe as njerëzit e nevojshëm për ta bërë një punë të tillë. Kështu që, në këtë kuptim, qeveria e mbylli mirë një punë të kryer keq deri në momentin e fundit.


Zëri i Amerikës: Cili është vlerësimi juaj mbi komunikimet mes qeverisë shqiptare dhe opozitës? Të dyja palët e akuzuan njëra tjetrën për arrogancë dhe mungesë informacioni dhe komunikimi.

Besnik Mustafaj: Zoti Rama bëri një gjë të panevojshme duke akuzuar opozitën. Opozita e akuzoi kryeministrin për mungesë transparence në mënyrë të vazhdueshme dhe për arrogancë. Mbajtja e opozitës jashtë këtij procesi thjesht sepse në parlament ka numrat e mjaftueshëm të votave është shprehje arrogance. Po të mos kishte votat e mjaftueshme, atëherë qeveria do të detyrohej të negocionte me opozitën. Pra, kjo nuk ka kuptim tjetër përveçse arrogancë. Por, nga ana tjetër, opozita, në trajtimin që i bëri kësaj ngjarje të rëndësishme për dinjitetin e shtetit dhe të qytetarit shqiptar, pati konfuzion të madh qysh në fillim në raport me opinionin publik, sepse në fund të fundit, opozita komunikimet kryesore i ka me opinionin publik. Opozita pati konfuzion të madh, pati luhatje të mëdha në qëndrimet e saj, pati paqartësi në vendimet e saj.

Zëri i Amerikës: Nga mendoni se buroi gjithë ky reagim qytetar, kaq masiv dhe i qëndrueshëm ndaj një problemi të ndjeshëm, pas një viti të gjatë e të lodhshëm elektoral për qytetarët shqiptarë?

Besnik Mustafaj: Kjo tregoi se shoqëria shqiptare ka filluar të piqet, të bëhet një shoqëri normale njësoj si në vendet e tjera demokratike. Pjesëmarrësit kryesorë ishin rinia, ata që kanë lindur në vitet 90-92. është një brez tjetër, janë fëmijët tanë. Kjo e bën të bukur dhe shpresëdhënëse këtë histori. Unë dua të besoj fort se shoqëria shqiptare po piqet me këtë rini që ka dhe po bëhet e tillë që të mos pranojë arbitraritetin, teprimet dhe as papjekurinë e klasës politike.

Zëri i Amerikës: Pas gjithë këtyre që ndodhën, sa mendoni se do të ndikojë ky refuzim i Shqipërisë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, apo më gjerë në profilin diplomatik dhe politik të Shqipërisë në arenën e diplomacisë ndërkombëtare, kryesisht në raport me vendet dhe institucionet perëndimore si NATO dhe Bashkimi Europian?

Besnik Mustafaj: Unë mendoj se kjo nuk është një ngjarje me pasoja afatgjata. Sigurisht që ka një mbetje qejfi, natyrshëm do të ketë një mbetje qejfi imediate sidomos nga ana e SHBA-ve, sepse SHBA ndërtuan një proces të tërë mbi bazën e premtimit të dhënë nga kryeministri shqiptar. Kjo tregon se papjekuria diplomatike, besimi i tepruar në vetvete i kryeministrit shqiptar mund të bëhet shkak për zmërim midis miqsh, por në pikëpamje afatgjatë kjo nuk është një ngjarje që mund dhe duhet të lërë pasoja. SHBA janë një shtet jashtëzakonisht i pjekur diplomatikisht dhe e kuptojnë mirë se nuk ishte në mundësinë e kryeministrit ta merrte një vendim të tillë, po të kemi parasysh gjithë zërat e shumanshëm që u ngritën kundër një vendimi të tillë. Së dyti, para pak kohësh Britania e Madhe, aleati historik më konseguent i SHBA-ve, me një votim në parlament u tërhoq nga një marrëveshje e kryeministrit britanik me presidentin Obama po lidhur me ndërhyrjen e mundshme ushtarake në Siri. Pra, unë besoj se është një dëm që duhet të na mërzitë pak, por jo që të krijojë ankth.

XS
SM
MD
LG