Lidhje

Një recesion i dytë, nëse ndodh, mund të jetë tepër i vështirë


Një recesion i dytë, nëse ndodh, mund të jetë tepër i vështirë
Një recesion i dytë, nëse ndodh, mund të jetë tepër i vështirë

Disa ekonomistë janë të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara mund të zhyten në një recesion tjetër. Ata paralajmërojnë se ky recesion i ashtuquajtur "zhytje e dyfishtë", nëse ndodh, mund të jetë më i vështirë për amerikanët e thjeshtë se sa recesioni i viteve 2007-2008. Vendet e punës, të ardhurat, shpenzimet dhe prodhimi industrial janë tani më të dobëta se sa ishin para 4 vjetësh. Njëri prej sektorëve që është goditur më rëndë është ai i tregut të shtëpive.

Mark Hudson është agjent i pasurisë imobiliare në Uashington, një prej zonave që është prekur më pak nga kriza në sektorin e strehimit dhe të ndërtimit. Ai shqyrton me kujdes listën e shtëpive për shitje.

“Shitjet e shtëpive kanë rënë rreth 40 për qind krahasur me vitin 2005. Kjo prek çdo sektor tjetër të ekonomisë, ndërkohë që zona metropolitane e kryeqytetit Uashington është më mirë se shumë prej zonave të tjera të vendit".

Një prej shtëpive që Marku po përpiqet të shesë është kjo, e cila ndodhet në distriktin historik të një lagjeje periferike të Uashingtonit.

Ai thotë se do ta shesë këtë shtëpi për shumë më pak se sa para disa vjetësh dhe kjo rënie e çmimit të shtëpive ka një ndikim në pasurinë personale të njerzve.

“Nëse do ta kishin shitur shtëpinë para disa vjetësh, pronarët do të kishin siguruar fitim më të madh, 100 mijë deri në 150 mijë dollarë. Këtë shumë ata mund ta përdornin për pension ose për të blerë një shtëpi të re ose për të paguar për universitetin e fëmijëve. Pra rënia e çmimit të shtëpive padyshim ndikon tek pasuria e tyre personale”.

Shtimi i shitjeve dhe ndërtimit të shtëpive mund të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë, por ekonomistja Karen Dynan thotë se ka të ngjarë që kjo të mos ndodhë përsëri.

“Problemi i tanishëm është kërkesa e paktë sepse njerzit nuk duan të blejnë shtëpi kur perspektiva e të ardhurave të tyre është fare e paqartë. Kur njerzit shqetësohen se çmimet e shtëpive do të bien edhe më shumë dhe deri sa të shikojmë shtimin e kërkesës, ne nuk do të përjetojmë një shtim të ndërtimit të shtëpive në sasi të mjaftueshme që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik”.

Shumë ekonomistë thonë se frika e së panjohurës mban gjallë hezitimin e konsumatorëve. Kjo frikë ka tronditur tregjet financiare të botës, pas uljes së klasifikimit të kreditit për qeverinë amerikane dhe debatit të gjatë e tepër të politizuar lidhur me kufirin e borxhit të Shteteve të Bashkuara.

“Pesimizmi mund të bëhet realitet. Nëse një konsumator e fillon ditën i shqetësuar rreth së ardhmes dhe nuk shpenzon, pronarët e bizneseve të ndryshme do të përjetojnë pak kërkesë dhe si rezultat ata do të punësojnë më pak njerëz dhe të ardhurat do të jenë më të pakta, gjë që kthehet përsëri tek konsumatori, i cili është edhe më pak i prirur të shpenzojë”.

Mark Hudson thotë se ndërsa të ardhurat e tij personale kanë rënë me më shumë se 50 për qind, pa dyshim që ai po shpenzon më pak, madje ai është i shqetësuar rreth së ardhmes.

“Nëse do të përballemi me një recesion tjetër, nuk di se ç’mund të bëj, sepse i kam shkurtuar shpenzimet në maksimum. Ndoshta mund t’i shkurtoj ato edhe më shumë, por kjo është e vështirë dhe vetë ngritja e një pyetjeje të tillë të frikëson”.

XS
SM
MD
LG