Lidhje

Debate për referendumin kundër importit të mbetjeve


Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu tha se një fitore e referendumit rrezikon të hap rrugën për futjen nga jashtë të një numri të madh mbetjesh

Në Shqipëri ministri i Mjedisit Fatmir Mediu tha sot se një fitore e referendumit kundër importimit të mbetjeve rrezikon të cojë në hapjen e rrugës për futjen nga jashtë të një numri tejet të madh lloje mbetjesh. Sipas zotit Mediu, dy nenet për të cilat kërkohet abrogimi lidhen vetëm me procedurat që rregulojnë importin dhe jo me sjelljen e mbetjeve nga jashte. Por nga ana e tyre ambientalistët mendojnë se pretendime të tilla janë thjesht demagogjike dhe një spekullim i pastër, tha për zërin e Amerikës nga nga nismëtarët e kërkesës për referendum Lavdosh Ferruni.



Gjykata kushtetuese vendosi t’i hapë rrugë referendumit kundër importit të mbetjeve pas kërkesës së paraqitur nga një grup ambientalistëtsh dhe aktivistësh të shoqërisë civile. Debatet për këtë cështje nisën që në vitin 2011, kur edhe parlamenti miratoi ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Polemikat nuk mbetën vetëm brenda sallës se legjislativit. Shoqëria civile arriti të organizonte një lëvizje që coi në grumbullimin e mbi 60 mijë firmave, për të kundërshtuar dy nene të ligjit që lidhen me importin e mbetjeve.

Qeveria mbrojti variantin e saj. Edhe sot ministri I Mjedisit Fatmir Mediu tha se ligji shqiptar është madje më I ashpër se ai i vendeve europiane: “Kjo praktikë ka frenuar dhe I ka mbyllur derën importit të mbetjeve. Majfton t’i referoheni statistikave ose llojit të mbetjeve të importuara. Kanë qenë 346 lloje ndërsa tani janë bërë vetëm 6 importe, katër prej të cilave vetëm për skrap metalik”

Ministri Mediu u shpreh se nuk ishte kundër idesë së një referendumi, por shpjegoi ai, cështja shtrohet se cfarë kërkohet të arrihet përmes tij: “Dy nenet që kanë kërkuar përfaqësuesit e shoqërisë civile heqin procedurën dhe kontrollin e qeverisë mbi importin e mbetjeve. Duke u bazuar vetëm te konventa e Bazelit e cila ka qenë në fuqi dhe më parë, ne nuk bëjmë gjë tjetër vecse liberalizojmë sot nga 25 mbetje në 500 lloje. Kërkesa e heqjes së dy neneve krijon një precedent shumë të rrezikshëm për trajtimin e kësaj cështjeje, sepse kompanitë e regjistruara dhe të licensuara për mbetjet mund të importojnë pa asnjë lloj procedure nëse ne i heqim ato dy nene”.

Por i pyetur nga Zëri Amerikës, zoti Lavdosh Ferruni, një prej nismëtarëve të referendumit tha se sipas tij, arsyetimi i ministrit nuk qëndron dhe në rastin më të mirë është një demoagogji tha ai. Zoti Ferruni shpjegoi se me abrogimin e nenit që përcakton procedurat e importimit, praktikisht bie poshtë cdo mundësi e sjelljes së mbetjeve nga jashtë.

Debati ndoshta do të vazhdojë gjatë, edhe sepse organizimi i referendumit nuk mund të realizohet në një kohë të shpejtë. Për shkak të kufizimeve që ligji përcakton, në kohë zgjedhjesh, sic është edhe këtë vit Shqipëria, referendumi nuk do të mund të mbahet para dhjetorit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG