Lidhje

Reforma territoriale, ndryshim formulës së komisionit


Shumica synon zhbllokimin e aktivitetit të komisionit parlamentar. Opozita: reforma e njëanshme do jetë me pasoja. Hetim për akuzat e përfshirjes së ushtrisë në trafik droge

Në Shqipëri konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare përfshiu në rendin e ditës propozimin e shumicës për ndryshimin e përbërjes së komisionit të reformës territoriale për të zhbllokuar aktivitetin e tij. Komisioni nuk ka mundur të punojë duke qenë se opozita e cila ka numër të barabartë anëtarësh nuk merr pjesë. Sipas shumicës kjo është një zgjidhje teknike, ndërkohë që mekanizmi i deritanishëm do të mund të rivihet në funksionim nëse opozita do të vendosë të përfshihet në komision. Por për të djathtën, realizimi i njëanshëm i reformës do të ishte me pasoja të rënda për vendin. Opozita ndërkohë do tëmarrë pjesë në komisionin hetimor mbi akuzat për përfshirjen e ushtrisë.
Komisioni i reformës territoriale
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:08 0:00

Komisioni parlamentar për reformën territoriale i ngritur që në muajin janar me vetëm votat e së majtës ka qëndruar pezull gjatë gjithë kësaj kohe. Mospjesmarrja e e opozitës e ka bërë të pamundur punën e tij duke qenë se palët janë me numër të barabartë anëtarësh e për pasojë komisioni nuk mblidhet dot pa patur shumicën. E vendosur për ta cuar deri në fund realizimin e reformës, shumica ka vendosur ta zgjidhë këtë problem duke shtuar numrin e anëtarëve të saj me një deputet më shumë.

Propozimi mori sot miratimin e konferencës së kryetarëve, duke i hapur rrugë përfshirjes në rendin e ditës së seancës së të enjtes. “Kjo shumicë nuk ka ndryshuar dhe nuk ka ceduar nga vendosmëria e vet që kjo reformë të jetë e realizueshme dhe me kontributet e opozitës. U detyruam që të propozojmë ndryshimin e numrit të anëtarësisë, me qëllim që komisioni të nis nga puna nga pikëpamja teknike. Kjo në mënyrë absolute nuk përjashton mundësinë që opozita në momentin që vlerëson të bëhet pjesë e këtij procesi të kemi të njejtën vëmendje sikundër më parë”, deklaroi ministri i Shteti për marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi. Sipas tij, mekanizimi i barazisë në komision do të rikthehet nëse opozita do të përfshihet në komision afati i punës të së cilit u shty me dy muaj.

Por sipas kreut të grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, shumica po rrezikon destabilitetin me vendimet e saj: “Për ne është vetëm një aventurë. Të kërkosh të bësh një reformë të tillë kaq të rëndësishme, vetëm dhe pa konsensus me opozitën, është një aventurë që sigurisht do të ketë pasoja jo vetëm politike por edhe për vendin. Ne e kemi bërë të qartë se duam që të bëhet një reformë e qenësishme administrative shoqëruar më pas dhe me reformë zgjedhore se nuk mund të ndahen nga njëra tjetra. Ata që kanë synimin thjesht të sigurojnë zgjedhjet në tavolinë, do të bëjnë tyren dhe sigurisht ne nuk mund të pranojmë një situatë të tillë”.

Opozita ka këmbëngulur që të ketë garanci se reforma do të miratohet me konsensus edhe në sallën e parlamentit. Kjo është parë nga shumica si një përpjekje për të bllokuar reformën. Por zoti Paloka tha se ky nuk është synimi i opozitës e cila ka parlajmëruar protesta, nëse reforma do të realizohet në mënyrë të njëanshme.

Kreu i grupit demokrat njoftoi ndërkohë pjesmarrjen e opozitës në komisionin hetimor kërkuar nga shumica për akuzat për përfshirjen e mundshme të strukturave të ushtrisë në trafik droge, ndonëse kërkesa që hetimi të zgjerohej edhe mbi rritjen e trafiqeve të lëndëve narkotike: “Ne do të marrim pjesë e do të këmbëngulim që ky hetim të zgjerohet. Edhe në seancën që vjen, por edhe kur të jemi në komision do të kërkojmë që të zgjerohet objekti dhe shqiptarët të marrin informacion për trafikun e drogës dhe sa e si janë të implikuara institucionet shtetërore, nëse janë të implikuara. Kjo u intereson shqiptarëve dhe jo se kush e nxorri informacionin”.

Sipas përfaqësuesve të opozitës dyshohet se të paktën ish baza ajrore e Gjadrit të jetë përdorur për trafiqe përmes avionëve.Ministria e Mbrojtjes, ndërsa ka mohuar në mënyrë kategorike që të ketë prova e fakte të vërtetiara që implikojnë ushtrinë, ka kërkuar hetim nga Prokuroria. Kjo e fundit ka nisur verifikimet paraprake duke kërkuar informacion nga shërbimet sekrete, por edhe nga deputetët që kanë ngritur dyshimet dhe akuzat.
XS
SM
MD
LG