Lidhje

Refugjatët mësojnë anglishten


Nga tetori i vitit 2015 deri në shtator të 2016-ës, Shtetet e Bashkuara pranuan më shumë se 31 mijë refugjatë nga e gjithë bota. Për të siguruar se ata punojnë për t’u bërë të pavarur, programet e financuara nga qeveria federale u japin ndihma financiare si dhe ofrojnë shërbime për përgatitje për punësim. Sarah Zaman e Shërbimit Urdu të Zërit të Amerikës vizitoi një program në shtetin e Merilendit ku të sapoardhurit mësojnë gjuhën angleze.

Farishta Arifi erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Afganistani disa muaj më parë si refugjate. Në vendin e saj të lindjes, ajo ishte mësuese e gjuhës perse. Në Amerikë, ajo i ka dhënë vetes një detyrë – të mësojë të flasë anglishten.

Unë do të doja të flisja anglisht mirë në mënyrë që të punoj me kompjuter. Një punë të mirë. Jo një punë në një hotel ose restorant” thotë ajo.

Farishta është një nga refugjatët e shumtë të cilët vijnë në Amerikë me pak më shumë se ëndrra për një të ardhme më të mirë. Angjencitë e zhvendosjes u ofrojnë atyre ndihmë të përkohshme financiare përmes fondeve federale, por refugjatët duhet të gjejnë punë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është koha kur ata mësojnë se i mungon njohuria e diçkaje të rëndësishme.

“Kur kërkoj punë, të gjithë bizneset kërkojnë që unë të flas anglisht” thotë Ruth, një refugjate nga Salvadori.

Refugjatët si Ruth mund të mësojnë nëpërmjet klasave “Anglishtja si Gjuhë e Dytë” – të njohura si klasat ESL, si ato që ofrohen në Kolegjin Profesional Prince George’s në Merilend.

Atje, nxënësit caktohen në klasa në bazë të nivelit të tyre të përvetësimit të anglishtes. Nëpërmjet mësimeve dhe ushtrimeve, ata mësojnë se si të përgjigjen në situata të ndryshme të jetës së përditshme.

“Ne përpiqemi t’u mësojmë fjalët dhe gramatikën që u nevojitet në atë moment. Gjithkush e sheh se fjalët që përdorin në klasë, të nesërmen janë në gjendje t’i përdorin me dikë” thotë një mësuese për anglishten si gjuhë të dytë.

Klasat ESL në këtë kolegj janë falas, si shumë të tjera kudo në Shtetet e Bashkuara. Shtetet, megjithatë, kontrollojnë përparimin e çdo studenti duke mbledhur të dhënat e pjesëmarrjes së tyre nga kolegji.

“Unë mendoj se shteti dëshiron të dijë se kush është i pranishëm në klasë, dhe pastaj mund të pyesin një punonjës të shërbimeve sociale të flasë me ta nëse nuk shkojnë në leksione. Nëse nuk i frekuentojnë më klasat se janë sëmurë ose nëse kanë gjetur punë. Ata vetëm duan të dinë arsyen pse disa nga studentët nuk shkojnë më në klasë” thotë Jacqui Walpole, e Kolegjit Profesional Prince George’s.

Instruktorët thonë se shumica e refugjatëve janë shumë të motivuar dhe i ndjekin mësimet rregullisht me një qëndrim pozitiv, pa marrë parasysh situatën e tyre. Nouradine Hassan nga Darfuri i Sudanit është një prej tyre.

“Në klasë, më pëlqen të mësoj. Anglishtja nuk është e vështirë. Ngadalë, ngadalë po e kuptoj” thotë ai.

Shumica e refugjatëve thonë se jeta e tyre në Shtetet e Bashkuara është krejtësisht ndryshe nga ajo që ishin mësuar. Ofrimi i klasave të gjuhës angleze është hapi i parë për t’i ndihmuar ata të kenë një jetë më të mirë në vendin e tyre të ri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG