Lidhje

Sfida e Europës me refugjatët


Kriza më e madhe humanitare e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore nuk ka përfunduar. Një numër i madh refugjatësh vazhdon të udhëtojë drejt Ballkanit për të arritur destinacionet e tyre në vendet e pasura të Bashkimit Evropian. Por ndërsa afron dimri, ka nevoja urgjente për më shumë fonde për të sistemuar imigrantët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jane Bojadzievski ka përgatitur materialin:

Moti i butë në Evropë ka kontribuar deri tani në numrin e madh të imigrantëve që arrijnë në Evropë përmes Mesdheut.

Por me dimrin që po afron, vuajtjet e mijëra imigrantëve që udhëtojnë në Ballkan ka të ngjarë të përkeqësohen dhe mund të rezultojnë në humbje të tjera jetësh nëse nuk merren masa.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë tani, thotë profesori i Universitetit Johns Hopkins Charles Gati, specialist për Evropën dhe Euroazinë:

“Vendet e Ballkanit kanë nevojë dhe kërkojnë mbështetje të mëtejshme financiare për të përballuar situatën. Kohët e fundit kancelarja Merkel i ofroi Turqisë tre miliardë euro për të bashkëpunuar dhe për të bërë çfarë është e nevojshme. Nuk është e lehtë dhe mund të mos jetë e mjaftueshme. Por shpresoj se vullneti i tyre i mirë do të ndihmojë.”

Piloti i rojes bregdetare amerikane Brian Lisko ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në operacione kërkim shpëtimi në Mesdhe. Ai vlerëson përpjekjet evropiane për të ndihmuar imigrantët që vijnë nga deti:

“Kanë bërë një punë të admirueshme për të konfrontuar mijëra njerëz dhe varka të pasigurta. Trafikantët po fitojnë para në kurriz të sigurisë dhe mirëqënies së këtyre imigrantëve. Evropianët po bëjnë një punë të mire për të shpëtuar jetët e njerëzve.”

Kathleen Newland bashkë-themeluese e Institutit të Politikave të Imigracionit, thotë se 10 mijë imigrantët që Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të pranojnë nuk mjaftojnë për të zbutur krizën:

“Mendoj se me kalimin e kohës, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të pranojnë më shumë refugjatë sirianë. Por procedurat tona të shqyrtimit të sigurisë për refugjatët janë shumë burokratike dhe të shtrenjta. Duhet që këto procedura të jenë më të efektshme.”

UNHCR-ja javën e kaluar u bëri thirrje donatorëve për 96 milion dollarë ndihma shtesë për muajt e dimrit për Greqinë dhe vendet e tjera të prekura në Ballkan. I ashtuquajturi Plan Dimëror përqëndrohet në vendosjen e masave mbështetëse në vende si Kroacia, Greqia, Serbia, Sllovenia dhe Maqedonia për të mënjanuar rezikun e një tragjedie humanitare dhe humbjen e të tjera jetëve gjatë muajve të dimrit.

XS
SM
MD
LG