Lidhje

Dep.i Sigurisë Kombëtare përdori shkollë të rreme për identifikimin e studentëve pa viza


Sipas akuzave federale të bëra publike të mërkurën, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ngriti një universitet të rremë në Miçigan për të futur në grackë studentë emigrantë të cilët nuk kishin autorizimin e duhur për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

Tetë vetë u arrestuan dhe u akuzuan për komplot për kryerje mashtrimi me vizat dhe strehimin e të huajve për fitim. Në aktakuzë thuhet se të pandehurit ndihmuan të paktën 600 "shtetas të huaj të qëndojnë ilegalisht, të ri-hyjnë dhe të punojnë në Shtetet e Bashkuara duke i rekrutuar në mënyrë aktive për t'u regjistruar në një “shkollë të rreme” si pjesë e skemës të quajtur "paguaj për të qëndruar".

Ngjarja u njoftua për herë të parë nga gazetat Detroit Free Press dhe Detroit News.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit "komplotuan me njëri-tjetrin dhe me të tjerët për të ndihmuar qindra shtetas të huaj që në mënyrë të paligjshme të qëndronin dhe punonin në Shtetet e Bashkuara duke i rekrutuar ata në mënyrë aktive për t'u regjistruar në një universitet privat në Detroit që, pa njohurinë e komplotistëve ishte krijuar nga agjentë të posaçëm të Departamentit të Sigurisë Kombëtare si pjesë e një operacioni të fshehtë "dy vitet e fundit”.

Faqja elektronike e Universitetit Farmington thotë se ai "është krijuar qysh në fillim të viteve 1950 ...". Ai është "miratuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për Programin e Studentëve dhe Vizitorëve të Huaj për të regjistruar studentë ndërkombëtarë” dhe është "akredituar nga Komisioni i Akreditimit për Shkollat dhe Kolegjet dhe liçencuar nga Departamenti i Çështjeve të Licencimit dhe Rregullatorit në Miçigan si një kolegj privat". Faqja elektronike e universitetit të rremë vazhdoi të ishte aktive të mërkurën.

Studentët ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë viza F-1, M-1 ose J-1 dhe të ndjekin programe të akredituara. Ata duhet të largohen nga Shtetet e Bashkuara brenda 60 ditëve nga përfundimi i programit. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit është ai që jep vizat për studentët emigrantë, ato administrohet nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti për Edukimin Ndërkombëtar, ka më shumë se 1 milion studentë ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara pas një rritjeje dramatike në dekadën e fundit që duket të jetë stabilizuar.

Studentët kinezë dhe indianë përbëjnë gjysmën e të gjithë studentëve ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara.

"Jemi shumë të gëzuar t'ju mirëpresim në komunitetin e Universitetit Farmington dhe t'ju ndihmojmë të arrini synimet tuaja akademike", thuhet në faqen e internetit të Universitetit të sajuar.

Tetë të pandehurit akuzohen se po ndihmonin studentët të regjistroheshin në këmbim të parave, pagesave dhe kredive për shkollim si pjesë e skemës "paguaj për të qëndruar", thuhet në aktakuzë.

Gjashtë u arrestuan në rrethinat e Detroidit, një në Florida dhe një në Virxhinia.

"Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se studentët ndërkombëtarë mund të jenë një pasuri e vlefshme për vendin tonë, por siç tregon ky rast, programi i vizave për studentët ndërkombëtarë mund të shfrytëzohet dhe abuzohet", tha prokurori i disktriktit të Miçigan Matthew Schneider në një deklaratë të publikuar nga Free Press.

Në aktakuza thuhet se operacioni lejoi studentët të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara pa viza të rregullta. Qeveria amerikane pretendon se studentët që u regjistruan "e dinin se nuk do të ndiqnin ndonjë klasë aktuale, nuk do të përfitoni kredite shkollimi dhe nuk do të përparonin akademikisht".

"Agjentët e posaçëm të Departamentit të Sigurisë Kombëtare zbuluan një rrjet mbarëkombëtar që ka shfrytëzuar gjerësisht ligjet e emigracionit të SHBA", tha agjenti special në ngarkim Steve Francis, i cili kryeson zyrën e Detroidit të Sigurisë Kombëtare për Hetimet e Emigracionit dhe Doganave.

"Këta të dyshuar ndihmuan qindra shtetasve të huaj të qëndronin në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara duke i portretizuar si studentë, duke mos qenë të tillë. Departamenti ynë mbetet vigjilente për të siguruar integritetin e ligjeve të emigracionit të SHBA dhe do të vazhdojë të hetojë këtë dhe krime të tjera ndërkombëtare".

Të akuzuarit janë:

Barath Kakireddy, 29 vjeç, nga Lake Mary, Florida

Suresh Kandala, 31vjeç, nga Culpeper, Virxhinia

Phanideep Karnati, 35 vjeç, nga Louisville, Kentaki

Prem Rampeesa, 26 vjeç, nga Charlotte, Karolina e Veriut

Santosh Sama, 28 vjeç, nga Fremont, Kalifornia

Avinash Thakkallapally, 28 vjeç, nga Harrisburg, Pensilvania

Aswanth Nune, 26 vjeç, nga Atlanta, Xhorxhia.

Naveen Prathipati, 26 vjeç, nga Dallas, Teksas

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG