Lidhje

Republikanët, gati të marrin kontrollin e Senatit


Kongresi amerikan filloi dje punën, pas zgjedhjeve të javës së kaluar, ku republikanët morën kontrollin e Senatit dhe zgjeruan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton nga Senati ku shumë nga kundërshtarët më të ashpër të Presidentit Barack Obama po përgatiten që të marrin pozicione të fuqishme në këtë dhomë të Kongresit që ka qenë nën kontrollin e demokratëve që nga viti 2007.

Kupola e ndërtesës së Kongresit është e rrethuar me skela për një projekt dyvjeçar restaurimi. Por ndryshimi nuk është vetëm i jashtëm. Edhe brenda Kapitolit, republikanët po bëhen gati të marrin kontrollin e Senatit në janar.

Republikani më i lartë në Senat, Mitch McConnell, do të bëhet udhëheqës i shumicës dhe do të vendosë se cilat projekt-ligje mund të hidhen për shqyrtim.

Shumë nga këto projekt-ligje duhet të miratohen paraprakisht nga komisionet e Senatit, të cilat do të kenë kryetarë republikanë. Komisioni i Politikës së Jashtme do të drejtohet nga Senatori Bob Corker, një kritik i hapur i planit të administratës së Presidentit Obama për të luftuar ekstremistët e grupit Shteti Islamik në Irak dhe Siri. Zoti Corker ishte i prerë si zakonisht në vlerësimin e planit në një seancë të komisionit para disa muajsh, ku po dëshmonte Sekretari i Shtetit John Kerry.

"Ju po na kërkoni të miratojmë dicka që ne e dimë që nuk ka kuptim dhe që nuk duket serioze”.

Kryetari i ri i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura pritet të jetë John McCain, rivali republikan i Presidentit Obama në fushatën presidenciale të vitit 2008, dhe mbështetës i një përgjigjeje më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara ndaj krizave globale, përfshirë ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.

“Ky president nuk e kupton Vladimir Putinin, nuk i kupton ambicjet e tij. Nuk e kupton që Putini është një ish-kolonel i KGB-së që do rikthimin e perandorisë ruse”.

Edhe me një Kongres të mbizotëruar nga republikanët, Presidenti Obama do ta ketë autoritetin që të marrë vendime për politikën e jashtme. Ai është gjithashtu komandant i përgjithshëm i ushtrisë.

Por ka fusha të tjera ku republikanët do të mund të ushtrojnë autoritet të konsiderueshëm, si për shembull tek buxheti. Vetëm Kongresi mund të autorizojë fondet nga paratë e taksapaguesve për të financuar operacionet e agjencive federale. Kreu i ardhshëm i Komisionit të Senatit për Buxhetin, pritet të jetë republikani Jeff Sessions, një konservator fiskal që ka kundërshtuar shumë nga përparësitë e Presidentit Obama për buxhetin.

“Projekt-ligji mbi asistencën për papunësinë që kemi para nesh, nuk përfshin asnjë përpjekje për të ulur shpenzimet në fusha të tjera të kësaj qeverisjeje, por merr çdo qindarkë”.

Përveç kësaj, republikanët e senatit do të kenë autoritetin të konfirmojnë ose të hedhin poshtë të emëruarit e Presidentit Obama për një numër të konsiderueshëm postesh qeveritare, që nga krerët e agjencive, deri tek ambasadorët dhe gjykatësit. Republikani Chuck Grassley, që pritet të drejtojë Komisionin Juridik të Senatit, ka votuar kundër dhjetra të emëruarve të Presidentit Obama për poste gjykatësish, duke i akuzuar për aktivizëm juridik.

“Gjykatësit duhet të marrin vendime mbështetur tek faktet. Gjykatësit duhet të marrin vendime gjyqësore dhe jo të kenë ide politike, sepse nuk po kandidojnë për poste politike”.

Me kontrollin e dy dhomave të Kongresit, Republikanët kanë një mandat të kufizuar, sipas ekspertit të shkencave politike në Universitetin e Virxhinias, Larry Sabato.

“Do ta quaja një mandat për të mbajtur nën kontroll Presidentin Obama. Qeverisja nuk do te jetë e lehtë, në dy vitet në vazhdim”.

Demokratët do ta mbajnë kontrollin e Senatit deri në fund të vitit dhe pritet të përpiqen të konfirmojnë sa më shumë kandidatura të paraqitura nga Presidenti Obma që të jetë e mundur, para se shumica republikane të hyjë në fuqi.

XS
SM
MD
LG