Lidhje

Presidenti Trump befason republikanët me marrëveshjen me demokratët


Republikanët në Kongres po reagojnë me pakënaqësi pasi Presidenti Donald Trump i zuri në befasi udhëheqësit e tyre, duke rënë dakord me demokratët për një zgjatje tre muaj të afatit të tavanit të borxhit, gjë që e vendos partinë e tij në pozitë të vështirë vetëm pak më shumë se një vit para zgjedhjeve të Kongresit.

Reagimi i republikanëve ndaj marrëveshjes u shndërrua nga habi në zemërim dhe më pas në një mbështetje hezituese për një pakt për të cilin ata mendojnë se përfitojnë demokratët.

“Është një tradhëtim i çdo gjëje që ne jemi përpjekur të bëjmë si republikanë prej vitesh”, tha ish-senatori republikan Jim DeMint në një intervistë me gazetën “Politico”.

Anëtari i Kongresit, Mark Meadows përdori një ton më të matur. Ai tha se Presidenti Trump i kishte thënë se e kishte bërë marrëveshjen që të mund të përqendrohej tek reforma e taksave.

Marrëveshja i vuri në pozitë të vështirë udhëheqësit republikanë, përfshirë kreun e shumicës në Senat Mitch McConnell dhe kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan. Vetëm disa orë para shtyrjes së afatit për tavanin e borxhit, zoti Ryan e kishte quajtur “qesharake” idenë e kësaj shtyrjeje.

Por shumë përkrahës të zotit Trump e përshëndetën këtë lëvizje. Ish-guvernatori i Arkansasë, Mike Huckabee, e quajti marrëveshjen, një hap të mprehtë që sipas tij kishte si synim të ushtronte presion ndaj partisë së tij për të siguruar fitore legjislative që votuesit kishin kërkuar kur u dhanë republikanëve kontrollin e dy dhomave të Kongresit.

Demokratët ishin të entuziazmuar me marrëveshjen. Udhëheqësi I pakicës në senat, Chuck Schumer e quajti një “hap pozitiv përpara” që do të shmangte skadimin e borxhit dhe do të siguronte miratimin e shpejtë të fondeve për viktimat e uraganit në Teksas dhe Luiziana.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG