Lidhje

Luftime të reja në Republikën Qendrore Afrikane


Luftime të ashpra tronditën dje Republikën Qendrore Afrikane, duke lënë deri 9 të vdekur. Si rezultat, trupat franceze dërguan tanke për të mbrojtur pozicionet e tyre në aeroportin e Banguit.

Shërbimi Frëngjisht për Afrikën i Zërit të Amerikës njofton se luftimet ishin të përqëndruara në Banguin verior dhe gjëmimet e të shtënave mund të dëgjoheshin në disa lagje.

Zyrtarët e misionit paqeruajtës në Republikën Qendrore Afrikane thanë për Zërin e Amerikës se pesë trupa të tyre ishin vrarë në Bangui në përleshje me grupet kryengritëse kryesisht të krishtera anti-qeveritare.

Po ashtu, persona të armatosur vranë katër vetë pas një ceremonie fetare. Në një intervistë për Shërbimin Frëngjisht për Afrikën, një prift lokal tha se mendohet që autorët e sulmit kanë lidhje me kryengritësit Seleka, të përbërë kryesisht nga myslimanë.

Ai tha se kisha që u sulmua ka shërbyer si strehë për mijëra civilë të shpërngulur nga konflikti.

Forcat franceze dhe afrikane janë përpjekur të çarmatosin grupet kryengritëse dhe të ndalin konfliktin në këtë vend.
XS
SM
MD
LG