Lidhje

Tërhiqet një kandidat për kryetar të FED-it


Tërheqja e një prej kandidatëve kryesorë për postin e kryetarit të Bankës Qendrore amerikane e ka lënë të hapur pikëpyetjen për presidentin Obama, se kush do të zëvendësojë kryetarin e tanishëm Ben Bernanke.

Një këshilltar i rëndësishëm i Shtëpisë së Bardhë për ekonominë në vitet e para të presidencës së zotit Obama, Lawrence Summers u tërhoq dje, pasi ai ishte njëri praj kandidatëve për të udhëhequr Rezervën Federale, agjencinë kryesore të vendit që merret me vendosjen e ligjeve monetare, dhe një hallkë e rëndësishme në ekonominë botërore.

Tërheqja e zotit Summers mund të rezultojë në vendosjen për të parën herë të një gruaje në këtë post, zonjën Janet Yellen, e cila tani është zëvendës kryetarja e Rezervës Federale. Por për postin mund të emërohen gjithashtu edhe këshilltarë të tjerë ekonomikë.

Investitorët po presin të shqetësuar ndërsa Banka Qendrore Amerikane shqyrton mundësinë e pakësimit të përpjekjeve për të stimuluar ekonominë. Shumë ekonomistë parashikojnë se shkurtimet do të ndodhin vitin e ardhshëm, ndërsa të tjerë thonë se mund të hyjnë në fuqi ndoshta që të mërkurën.

Çmimet e aksioneve ranë ndjeshëm në fillim të vitit kur Banka Qendrore amerikane tha se mund t’i pakësojë përpjekjet për stimulimin e ekonomisë. Kreu i rezervës federale, Ben Bernanke tha se një ekonomi që po forcohet, me kalimin e kohës nuk do të kishte nevojë për mbështetjen e një programi masiv blerjesh të bonove.

“Nëse informacioni që po marrim mbështet pikëpamjen se ekonomia mund të mbështesë një ritëm të arsyeshëm rritjeje, ne do ta lehtësojmë pak trysninë duke e ulur gradualisht ritmin e blerjes”.

Shoqata Kombëtare e Ekonomistëve të Biznesit thotë se ekonomistët parashikojnë një përmirësim të rritjes ekonomike këtë vit, duke arritur në 3 për qind vitin e ardhshëm. Sipas sondazhit që i bëri ky grup anëtarëve të tij, rritje më e madhe do të thotë më pak nevojë për stimulim këtë vit dhe shkurtime të sigurta të stimujve vitin e ardhshëm. Profesorja e Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes Nayantara Hensel, e hartoi sondazhin.

“Shumica e panelistëve mendojnë se shanset janë 80 për qind që stimujt federalë do të bien në vitin 2014”.

Banka Qendrore është përpjekur të konsolidojë rritjen ekonomike që kur recesioni rriti ndjeshëm papunësinë. Në fillim shkurtoi përqindjet e interesave duke i çuar në afro zero dhe u angazhua t’i mbante shumë të ulëta derisa papunësia të bjerë në 6.5 për qind ose më poshtë.

Më pas, krijoi një program të dytë për të shkurtuar përqindjet afatgjata të interesit, duke e bërë më të lehtë që familjet të marrin para hua për shtëpi të reja dhe më të lehtë për bizneset për të grumbulluar kapital për paisje të reja. Sipas këtij programi, Banka Qendrore po blen 85 miliardë dollarë letra me vlerë çdo muaj. Shkurtimi i stimujve ekonomikë do t’i pakësonte këto blerje. Profesoresha Hensel thotë se jo të gjitha të dhënat e mbështesin shkurtimin.

“Ne po shohim një farë rritje ekonomike, por jo aq të konsiderueshme sa ç’do të donim”.

Dhe një sondazh i Institutit të Llogaritarëve Amerikanë tregon se disa nga këta anëtarë shqetësohen se rigjallërimi i debatit për taksat dhe shpenzimet qeveritare në Kongres do të shkurajonte investimet e duhura për rritje. Gary Lubin, President i kompanisë Centerphase Solutions ndihmoi në organizimin e anketës.

“Tavani i borxhit, shkurtimet automatike të buxhetit, çështjet lidhur me mbrojtjen e patentave dhe disa praktika ndërkombëtare biznesi, të gjitha këto krijojnë një nivel pasigurie që sjell si rezultat një farë stepjeje dhe hezitimi për shpenzime si ato kapitale për shembull”.

Zyrtarët e lartë të Rezervës Federale pritet të takohen nesër dhe pasnesër për debatuar politikat ekonomike. Të mërkurën, zoti Bernanke pritet të takohet me gazetarët për të shpjeguar ndryshimet në strategjinë e bankës.
XS
SM
MD
LG