Lidhje

Rezultatet në Lojrat e Londrës


Vrapuesi i garave të shpejta Usain Bolt rinisi rrugën e tij për më shumë medalje të arta në Lojrat Olimpike të Londrës, mbasi mbrojti me sukses titullin e tij si njeriu më i shpejtë në botë.

Ai iu rikthye garës sot, në formë të mirë sportive mbas fitores së tij të së dielës në garën e 100 metrave. Bolt kaloi për në gjysëmfinalet e garës së 200 metrave, së bashku me shokun e tij të ekipit Yohan Blake, i cili mori medaljen e argjendit në garën e 100 metrave.

Por nuk pati këtë sukses atleti kinez Liu Xang në garën e pengesave. Sportisti, i cili mban medaljen e artë të lojrave olimpike të vitit 2004 në garën e 110 metrave me pengesa, u rrëzua në pengesën e parë dhe u detyrua që ta linte garën. Edhe në lojrat e Pekinit të vitit 2008, Liu u detyrua që të largohej mbas një dëmtimi në këmbë.

Ndërkaq, ekipi i vendit organizator të Lojrave Olimpke, shtoi numrin e medaljeve të fituara sot.

Alistar Brownlee fitoi medaljen e artë në tregarësh, duke arritur që në garën e tretë, atë të vrapimit prej 10 kilometrash, të shkëputej nga fituesi i vendit të dytë, spanjolli Javier Gomez.
Shoku i skuadërs së Brownlee-it i cili është dhe vëllai i vogël i tij, Jonathan Brownlee, fitoi medaljen e bronxit.

Kina mori edhe dy medalje të tjera sot. Deng Linlin, kampionia e botës në traun e ekuilibrit në vitin 2009, u rendit sërish e para në këtë disiplinë. Edhe Feng Zhe i ekipit kinez, mori medaljen në disiplinën e paraleleve.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara, kanë krijuar një përparësi të ndjeshme në krahasim me skuadrat e tjera për numrin e medaljeve të marra. Secila prej tyre ka më shumë se 60 medalje. Britania dhe Rusia garojnë për t’u renditur në vend të tretë përsa i përket numrit të medaljeve, por Britania ka dy herë më shumë medalje të arta se Rusia.
XS
SM
MD
LG