Lidhje

Ndahet nga jeta këngëtari i muzikës folk Richie Havens


Këngëtari i muzikës folk-rock Richie Havens, i cili u nda nga jeta në datën 22 prill nga një goditje në zemrë, do të kujtohet për shumë gjëra, mes tyre për zërin e butë, shtatëlartësinë e tij si dhe për faktin që këndoi në inaugurimin e parë të presidentit Bill Clinton. Por ai është i ngulitur në kujtesën e dëgjuesëve për paraqitjen e tij të famshme në festivalin e Woodstockut në vitin 1969.

please wait

No media source currently available

0:00 0:07:01 0:00
Direct link

Interpretimi i Richi Havensti në Woodstock në vitin 1969 e futi atë në historinë e muzikës. Por muzikanti dhe këngëtari i muzikës soul folk nuk ishte planifikuar që të hapte ngjarjen muzikore të Woodstockut. Planet ndryshuan pasi grupi që do të hapte këtë koncert, Sweetwater, kishte mbetur në trafik. Havensi dhe grupi i tij udhëtuan nga Nju Jorku me helikopter për të arritur në festival. Në kujtimet mbi festivalin, producenti i tij Michael Lang tha se ai përzgjodhi Havensin për të hapur festivalin, për qetësinë që ky i fundit rrezatonte.

Por Havensi jo vetëm që duhej të hapte festivalin e Woodstockut por duhej edhe të qëndronte sa më shumë në skenë pasi edhe këngëtari i rradhës kishte ngecur në trafik. Kjo e bëri Richie Havensin që të improvizonte atë që u shndërrua në një prej momenteve më domethënëse të fesivalit të Woodstockut: interpretimi i këngës “Freedom/ Sometimes I feel like A mothereless child”.

Havens shpjegoi më vonë se si i lindi ideja për të interpretuar këngën e tij më të famshme. Ai vendosi t’a këndonte pasi nga turma dëgjonte vazhidmisht thirrjet “liri, liri”. Duke marë shkas nga jehona e njerëzve, ai nisi të përsëriste fjalën “liri” e më pas nisi të këndonte një këngë të vjetër gospel që e kishte mësuar kur ishte fëmijë. Ky improvizim ishte ndër kulmet e festivalit të Woodstockut dhe konsolidoi pozicionin e Havensit në historinë e muzikës.

Më i madhi i nëntë fëmijëve, Havensi u rrit në një zonë të varfër të Brooklynit. Si fëmijë, ai ëndërronte që kur të rritej të bëhej kirurg, por i hyri rrugës së muzikës si adoleshent. Ai spikati mes këngëtarëve të rinj të brezit të tij jo vetëm për shtatëlartësinë, por edhe se Richie Havens ishte afrikano amerikan në një skenë muzikore të mbizotëruar nga të bardhët.

Ai fillimisht regjistroi dy albume me Albert Grossmanin, producent i Bob Dylanit. Gjatë karrierës së tij 40 vjeçare Richie Havens ka hedhur në treg thuajse 30 albume.

Richie Havens u nda nga jeta në moshën 72 vjeçare. Ai mishëroi shpirtin e viteve 1960 dhe mbarti me artin e tij mesazhin e paqes dhe dashurisë edhe në shekullin e 21-të.
XS
SM
MD
LG