Lidhje

Media e pavarur ruse në vendet baltike

  • Daniel Schearf

Propaganda nacionaliste ruse u intensifikua pas aneksimit të Krimesë në 2014, një akt që nxiti tensionet më të rënda Lindje-Perëndim që nga Lufta e Ftohtë.

Media shtetërore shumë shpejt filloi të ndiqte linjën e Kremlinit, ndërsa grupet e pavarura mediatike u bënë objekt i një presioni në rritje për të ndjekur vijën e Kremlinit ose për të ushtruar vetë-censurë.

Media Ruse në Vende të Tjera

Autoritetet ruse filluan të reduktojnë hapësirën për veprim për raportimin e pavarur. Një grup gazetarësh rusë arritën t’i largohen këtij presioni duke u vendosur në kryeqytetin letonez, Riga.

“Një pjesë e mirë e zhurmës që krijon propaganda ushqen një lloj axhende të rreme. Ne duam t’u ofrojmë lexuesve një axhendë të vërtetë,” thotë themeluesja e Projektit Meduza, Galina Timchenko.

Zonja Timchenko u pushua nga puna si kryeredaktore e faqes elektronike mediatike Lenta.ru në vitin 2014, pasi u botua një intervistë me një nacionalist ukrainas të ekstremit të djathtë që media shtetërore ruse e cilëson “ekstremist”.

Zonja Timchenko thotë se nuk kishte më kohë dhe fuqi të përplasej me autoritetet ruse dhe tani mund të punojë më normalisht në një vend të BE-së.

Vendet Baltike Mirëpresin Gazetarët

Në vendet baltike, autoritetet iu përgjigjën propagandës së Kremlinit me bllokimin e përkohëshëm të medias shtetërore ruse që kishte nxitur trazira, Por ata gjithashtu hapën dyert për median e pavarur ruse, si grupin Meduza.

“Gazetarët rusë që u larguan nga Moska, nga Shën Peterburgu, nga qytete të tjera ruse dhe ngritën këtu grupet e tyre mediatike, të cilat po ndihmojnë në një farë mase për t’iu kundërvënë propagandës ruse,” thotë Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics.

Meduza i përgjigjet cinizmit në rritje lidhur me politikën ruse dhe zhvillimet aktuale duke përdorur humorin dhe lajmet elektronike për të tërhequr rininë ruse.

Humori si Armë Mediatike

Një vëmendje e madhe i kushtohet humorit si mjet për të vënë theksin tek politikat absurde dhe korrupsioni.

Gjatë një vizite në mars tek zyrat e Meduzës në Riga, gazetarët ndoqën një lojë elektronike të krijuar nga ky grup, ku lojtarët përpiqen të blejnë më shumë këpucë e këmisha se kryeministri i Rusisë, Dmitri Medvedev.

Në lojë përmendet Alexei Navalni dhe hetimet e tij në lidhje me akuzat për korrupsion të lidhur me kryeministrin Medvedev. Hetimet filluan me pyetjen se kush ia kishte dhuruar zotit Medveded një palë këpucë atletike dhe arritën deri tek pyetja se kush kishte paguar për një pronë luksoze në Toskanjë që sipas zotit Navalni është në pronësi të Medvedevit. Vetë kryeministri rus nuk ka bërë komente.

Shkrime për të Rinjtë Rusë

Meduza përpiqet të tërheqë të rinj rusë që përdorin intensivisht internetin, të cilët nuk ndjekin televizionin shtetëror me të njëjtin interes si 80% e popullatës.

“Këta të rinj kanë më shumë shanse që të shohin një tjetër Rusi, e cila të mos ketë më këtë udhëheqje. Prandaj duhet të investojmë tek kjo audiencë,” thotë kryeredaktori i Meduzës, Ivan Kolpakov.

Por ai thotë se gazetarët e Meduzës nuk janë activistë, thjesht reporterë, që përpiqen të bëjnë gazetari të pavarur.

“Kryesorja është se po përpiqemi që t’i bëjmë lajmet përsëri interesante dhe informuese për publikun në Rusi,” thotë Kolpakov.

Vështirësi për të Tërhequr Lexuesin në Moshë të Madhe

Zonja Timchenko pohon se është e vështirë të tërheqësh rusët më të mëdhenj në moshë:

“Ata duan të gjejnë veten, dëshirat dhe bindjet e tyre në media. Nuk duan të dëgjojnë mendime të tjera”.

Në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë, një program variete, me lajme dhe humor, po përdor një strategji të njohur.

Satira Politike

Një program online, i quajtur Laikykites Ten, ose “Ki Durim” filloi të transmetohej edhe në rusisht, duke vënë në lojë politikën ruse.

“Marrim frymëzim nga segmenti ynë i preferuar Emisioni i Natës me John Oliver, apo realizime të tjera të televizionit amerikan, si emisionet e satirës politike të Jon Stewart, dhe Stephen Colbert,” thotë prezantuesi Andrius Tapinas.

Titulli i emisionit i referohet një komenti të bërë nga Kryeministri rus Medvedev kur po fliste me një pensioniste ruse në Krimenë e aneksuar, e cila iu drejtua kryeministrit me fjalët se pensionet ishin tepër të ulëta për të përballuar koston e jetesës. Medvedevi iu përgjigj se nuk kishte para në buxhet për të rritur pensionit, pastaj duke u larguar i thërriti gruas “Ki durim! Paç fat dhe gjithë të Mirat”. Komenti i tij bëri shumë zhurmë në median sociale.

Programi online që financohet nga fonde të dhuruara nga publiku përdor satirën për të komunikuar me publikun rus, duke iu kundërvënë propagandës ruse.

“Kur njerëzit qeshin, nuk ka vend për frikë,” thotë zonja Timoshenko, themeluese e Meduzës. “Me satirë i bën këto figura të frikshme të duken qesharakë; po ashtu i bën edhe lajmet të mos tingëllojnë shumë të mërzitshme” – thotë Timoshenko.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG