Lidhje

Rimëkëmbja ekonomike në qendër të garës presidenciale


Rimëkëmbja ekonomike në qendër të garës presidenciale
Rimëkëmbja ekonomike në qendër të garës presidenciale

Ndërsa Shtëpia e Bardhë vlerëson lart statistikat, që flasin për një përmirësim të tregut të punës në Shtetet e Bashkuara, kandidatët republikanë për president vazhdojnë të kritikojnë arritjet e presidentit Barak Obama në sektorin ekonomik.

Ekonomia amerikane është çështja kryesore e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, pasi në vitin 2007 dhe 2008 ajo u godit nga recesioni më i rëndë që prej luftës së dytë botërore dhe ka përjetuar një rimëkëmbje anemike. Megjithatë, pasqyra ekonomike mund të jetë duke ndryshuar. Papunësia në Shtetet e Bashkuara ka rënë gjatë katër muajve të fundit, nga 9 për qind në shtator në 8,3 për qind në janar.

Ndërsa tregu i aksioneve në Wall Street u ngrit të premten pas raportit më të fundit mbi tregun e punës, Presidenti Obama vuri në dukje lajmet e mira:

“Në janar, bizneset amerikane shtuan 257 mijë vende pune. Papunësia ra sepse më shumë njerëz gjetën punë dhe gjithsejt ne kemi krijuar 3,7 milion vende pune gjatë 23 muajve të fundit”.

Republikanët, që kandidojnë për t’i bërë sfidë presidentit në zgjedhjet e nëntorit thonë se këto arritje janë shumë pak dhe me shumë vonesë për të ndryshuar atë, që ata e shikojnë si politikë të dështuar ekonomike të zotit Obama. Duke folur para përkrahësve të tij pas fitores të shtunën në zgjedhjet paraprake në Nevada, ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney e vuri theksin tek synimi fillestar i administratës Obama për ta mbajtur shkallën e papunësisë në 8 për qind ose më pak.

“Këtë javë zoti Obama është përpjekur të mburet për papunësinë prej 8,3 për qind. Jo kaq shpejt zoti President. Ky është muaji i 36-të me radhë me papunësinë mbi nivelin e caktuar nga vetë administrata”.

Ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich u shpreh me tone të ngjashme në programin "Meet The Press" të rrjetit televiziv NBC.

“Papunësia ka rënë dhe a e dini se pse ka ndodhur kjo? Sepse mbi 4 për qind e njerzve të papunë nuk kërkojnë më punë. Nëse të papunët do të kërkonin punë me të njëjtat nivele si para 2 vjetësh, papunësia do të ishte 12 ose 13 për qind”.

Për presidentin Obama hapësirat janë të ngushta, nga njera anë ai përshëndet lajmin e mirë, duke pranuar nga ana tjetër se ekziston nevoja për përmirësime të mëtejshme.

“Ende një numër i madh amerikanësh janë të papunë ose kërkojnë punë më të mirë se sa ajo që kanë. Por ekonomia po përmirësohet. Rimëkëmbja po merr ritme më të shpejta dhe ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet brënda fuqive tona që të vazhdojmë ecjen përpara”.

Anketat e fundit venë në dukje përmirësime modeste për sa i përket miratimit nga publiku të punës së presidentit, që ka përkuar me të dhënat e fundit pozitive ekonomike.

XS
SM
MD
LG