Lidhje

Rita Ora flet për karrierën dhe pasionet e saj


Këngëtarja Rita Ora ka tani një angazhim të ri në karrierën e saj. Ajo është drejtuesve e një konkursi ku djemtë kualifikohen ose eliminohen për t’u bërë pjesë e një grupi muzikor. Ajo rrëfen pasionet e saj, çfarë ka mësuar me kalimin e viteve në skenë në qendër të vëmendjes dhe çdo të thotë modë, për të.

Rita Ora thotë se nuk është në natyrën e saj të jetë në një grup muzikor vajzash, sepse do të zbavitej aq shumë saqë nuk do të punonte dot:

“Do t’u thoja: “vajza ejani të dalim”. Ato do të habiteshin dhe unë do ta pranoja që nuk duhet të dalim”.

Rita Ora drejton konkursin e ri të këngës “Boy Band" në televizionin ABC, ku djem të rinj këngëtarë konkurojnë për t’u bërë anëtarë të një grupi muzikor me pesë vetë. Në emision marrin pjesë producenti Timbaland, Nick Carter i grupit “Backstreet Boys” dhe Emma Bunton e “Spice Girls”.

"Mendoj si drejtuese emisioni është një nga gjërat më zbavitëse që kam bërë deri tani, sigurisht pas interpretimit dhe koncerteve ku këndoj këngët e mia” thotë ajo.

Rita Ora shton se i pëlqen të bashkëbisedojë me pjesëmarrësit dhe me audiencën dhe të njohë konkurrentët. Ajo thotë se ka mësuar të jetë më e kujdesshme me komentet e saj pasi jo të gjithëve i duhen bërë komplimenta për talentin që kanë. Për këngëtaren fakti që nuk është ajo që u jep konkurrentëve lajmin e keq të eliminimit, është çlirim. Megjithëse nuk është në jurinë e konkursit “Boy Band”, Rita Ora thotë se lista e grupeve të saj të preferuara është shumë e gjerë:

"Të gjithë, që nga ‘The Jackson 5’, ‘Beatles’, Mick Jagger dhe ‘Rolling Stones’, e deri tek grupet e viteve ’60 . Grupet e mia të preferuara janë të larmishme. Natyrisht ‘Backstreet Boys’ por edhe ‘Black Eyed Peas’, gjithnjë i mrekullueshëm. ‘No Doubt’, një grup fantastik, ndërsa grupet me djem ‘NSYNC’ dhe sigurisht ‘Backstreet Boys’”.

Rita Ora ka pasionin të shprehet përmes stilit të saj. Ajo drejtoi gjithashtu edhe një sezon të spektaklit “Top Modelja e ardhshme e Amerikës”. Sipas Orës, nuk ka rregulla kur bëhet fjalë për modën, pasi stili është individual:

"Moda është një moment, është mënyrë jetese, është frymëmarrja jote. Ndikon aq shumë tek komuniteti, kultura, të rinjtë, prandaj mendoj se shkon përtej asaj që mund të konsiderohet gjetje jo aq e pëlqyeshme”.

Këngëtarja 26 vjeçare thotë se mesazhi që do që t’u përcjellë vajzave të reja është, të jenë vetëvetja dhe të mbështesin njëra-tjetrën sepse siç thotë ajo, të bashkuara vajzat kanë më shumë forcë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG