Lidhje

Robin Williams, 1951-2014


Policia tha se aktori komik Robin Williams, i cili u gjet i vdekur dje në shtëpinë e tij në Kaliforni, ka kryer vetvrasje duke varur veten. Williams ishte 63 vjeç.

Nga i gjithë vendi dhe bota po vërshojnë homazhet për aktorin komik Në një deklaratë të publicistit të tij thuhej se aktori vuante nga depresioni. Prej kohe dihej se Williams luftonte me drogën dhe alkoolin. Por vetëm muajin e kaluar, ai kishte pranuar të shkonte në një klinikë rehabilitimi.

Presidenti Barak Obama e vlerësoi aktorin Robin Williams si "interpretues i një lloji të veçantë, i cili prekte "çdo element të shpirtit njerëzor."

Bota e artit humb një ndër humoristët më të dashur

Miqtë, të afërmit dhe kolegët e tij po kujtojnë një individ sa origjinal në skenë, aq edhe të dashur në jetë.

Lajmi për vdekjen e aktorit Robin Williams ka tronditur Hollivudin, admiruesit e veprës së tij si dhe komunitetin piktoresk në Gjirin e San Franciskos ku ai jetonte. Policia u thirr dje në banesën e tij, ku e gjeti të vdekur. Analizat fillestare tregojnë se ai mund të ketë vdekur nga asfiksimi, në një akt vetëvrasjeje.

Aktori ka vuajtur prej kohësh nga depresioni klinik. Muajin e kaluar, ai njoftoi se do të rifillonte një terapi kuruese, pas 18 muaj punë intensive. Përfaqësuesit e tij thonë se këto kohë ai nuk kishte probleme me drogë apo alkohol, por gjatë jetës pat kaluar periudha të errëta kur abuzonte me pije apo narkotikë.

Por sot ai po kujtohet për momentet komike, të qeshurat dhe personazhet e paharruara që solli pranë amerikanëve. Ai mori famë me rolin e tij të parë në ciklin televiziv komik Mork and Mindy, ku luante një jashtëtokësor që jetonte mes njerëzve. Presidenti Obama e kujtoi këtë personazh, në një deklaratë për shtyp në kujtim të aktorit. “Ai hyri në jetët tona si jashtëtokësor, por arriti të prekë çdo fije të shpirtit njerëzor”, tha zoti Obama.

Talenti i tij e ndihmoi të kalonte në botën e filmit, ku krijoi personazhe të paharruara përmes komedisë fizike, aftësisë imituese dhe origjinalitetit në interpretim. Ndër rolet e tij më të njohura mbetet prezantuesi irritues, ofendues dhe i paparashikueshëm i një emisioni në radio në filmin “Good Morning Vietnam”; një baba i pezmatuar nga ndarja prej fëmijëve kur divorcohet nga gruaja, i cili përpiqet me çdo mënyrë të jetë pranë tyre në filmin Mrs. Doubtfire. Një mjek që përveç talentit profesional sjell edhe shpirtin human pranë pacientëve në filmin Patch Williams. Dhe psikoanalisti që arrin t’i tregojë rrugën e shpëtimit një të riu në filmin Good Will Hunting, për të cilin ai fitoi edhe çmimin Oscar.

“Sot më duket se për herë të parë do të mbetem pa fjalë. Ju falenderoj shumë për këtë nder të pabesueshëm. Ju falenderoj që më përfshitë në një kategori me këta katër aktorë të mrekullueshëm,” tha aktori kur mori çmimin.

Talenti i tij është përshkruar si elektrizues dhe ngjitës. Kolegët e tij nuk pranonin të dilnin në skenat e klubeve të komedisë pas interpretimit të tij. “Të interpretosh pas Robin Williams është njësoj si të përpiqesh të krijosh hilaritet pas përfundimit të Luftës Civile,” pat thënë humoristi Billy Crystal.

Por ai ishte mbi të gjitha një njeri i thjeshtë, që nuk e lejoi famën ta ndryshonte. Për kolegët dhe njerëzit që e njihnin nga afër ai ishte një njeri me shpirt të gjerë dhe të ngrohtë. Ai la pas gruan si dhe dy djem dhe një vajzë nga një martesë e mëparshme. Në një koment të fundit në Twitter më 31 korrik, Williams i uronte së bijës 25 vjetorin.

Admiruesit e tij do të kenë rastin ta shohin aktorin në rolin e fundit në filmin “Night at the Museum: Secret of the Tomb” në rolin e presidentit Teddy Roosvelt.

XS
SM
MD
LG