Lidhje

Diplomatët grekë dhe italianë komentojnë marrëdhëniet Shqipëri-BE


Ambasadorët e Italisë dhe Greqisë në Tiranë pohuan sot se Shqipëria ka shënuar deri tani një ecuri të mirë me plotësimin e standarteve europiane, ndaj janë optimistë se ajo do ta marrë në qershor statusin e vendit kandidat. Ambasadori italian Massimo Gaiani dhe ai grek Leonidas Rokanas i bënë këto komente në tryezën e rrumbullakët “Perspektiva europiane e Shqipërisë”, e organizuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike. Ambasadori grek tha se nga integrimi europian i Shqipërisë dhe statusi i kandidatit përfiotjnë të gjithë fqinjët e saj.

Marrëdhëniet BE-Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

“Sipas mendimit tonë, Shqipëria është duke kryer detyrat e shtëpisë me shumë saktësi, dhe janë të gjitha shpresat, që ta marrë edhe formalisht statusin e vendit kandidat në qershor - tha ambasadori Rokanas. - Këshilli tha në deklaratën e fundit se po sheh përpara në dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Kjo deklaratë nuk kërkon detyra shtesë, dhe as nuk e lë çështjen mënjanë, por është shpresë se statusi do të merret dhe duhet parë më tej kapitulli i ardhshëm që lidhet me negociatat dhe kritere teknike të punës së përditshme” - tha ambasadori i Republikës Greke, z. Leonidas C. Rokanas.

Ndërsa ambasadori i italian, Massimo Gaiani, tha se BE dëshiron që Shqipëria të zhvillohet, jo thjesht të antarësohet, por të marrë pjesë në familjen europiane. “Detyra do të vazhdojë dhe do të jetë përherë e më e vështirë. BE miraton rreth 40 mijë dokumenta të reja çdo vit dhe administrata shqiptare duhet të përgatitet që të përballojë detyra komplekse, ku nevojitet bashkëpunimi i gjithë institucioneve që të flasin në një gjuhë ligjore dhe teknike” - tha ai.

Ambasadori italian tha se Shqipëria duhet të ndjekë me vëmendje idetë që debatohen dhe zhvillimin e Bashkimit Europian dhe të ecë në një hap me të, që të përshtatet sa më shpejt. Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të humbë kohën midis diskutimit të një ideje dhe kthimit të saj në një ligj europian. “Shqipëria mund ta fillojë një punë, kur në BE ajo ka mbaruar, sepse kështu nuk integrohet dot, por duhet të ecë paralel me lëvizjen europiane drejt një objektivi të përbashkët, që gjendet 3-4 vjet përpara në të ardhmen” - tha ambasadori Gaiani.

Diplomatët grekë dhe italianë këshilluan ekspertët shqiptarë se si të studiojnë teknikisht mundësitë që ofron Bashkimi Europian, të shohin interesat e vendit, dhe të kenë përherë të gatshëm një projekt nga këndvështrimi shqiptar mbi çështjet europiane. Në qershor pret një tjetër përgjigje nga BE lidhur me statusin e vendit kandidat, i cili u shty në mbledhjen e dhjetorit të kaluar.

XS
SM
MD
LG