Rumania ka hapur një hetim lidhur me dyshimet për dhunë të ushtruar nga policia gjatë protestave të javës së kaluar kundër qeverisë së majtë që la pas qindra të plagosur. Njoftimi u bë të hënën nga prokurorët ushtarakë.
Rreth 80 mijë vetë, shumica prej tyre rumunë që jetojnë jashtë vendit, demonstruan të premten në mbrëmje në Bukuresht, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe duke kërkuar që ajo të japë dorëheqjen.
Policia përdori pompa uji, gaz lotsjellës, shkopinj gome e mjete të tjera për të shpërndarë turmën e protestuesve. Më shumë se 450 persona u plagosën, përfshirë 30 policë. Reth 30 persona u arrestuan gjë që çoi në kritika të gjera.
Të shtunën dhe të dielën u mbajtën protesta më të vogla, por ato nuk u shoqëruan me dhunë ndërsa një tjetër pritet të zhvillohet të hënën vonë.
"Deri tani kemi marrë rreth 30 ankesa dhe kolegët e mi po intervistojnë ata që u plagosën", tha prokurori Ionel Corbu, duke shtuar se "të gjithë ata që dyshohet se kanë vepruar kundër ligjit" do të merren në pyetje.
Gjithashtu prokurorët do të analizojnë dhe pamjet filmike të regjistruara nga forcat e sigurisë, shtypi apo demonstruesit.
Autoritetet policore thanë se forcat e rendit u përgjigjën në mënyrë "proporcionale" ndaj dhunës që, sipas tyre, u krye nga dhjetëra huliganë futbolli të cilët u përpoqën të thyenin kordonin e policisë duke hedhur mjete të forta ndaj forcave të sigurisë.
Presidenti i qendrës së djathtë, Klaus Iohannis, një kritik i qeverisë, dënoi atë që e cilësoi si "ndërhyrje brutale të policisë". Ai tha se ishte përdorur force e tepruar në ndryshim nga sjellja e shumicës së demonstruesve dhe e akuzoi qeverinë për "krijimin e kaosit dhe trazirave".
Kancelari austriak Sebastian Kurz, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e rradhës të BE-së, i kritikoi gjithashtu përleshjet, gjatë së cilave u plagos dhe një kameraman i transmetuesit publik austriak.
Në Rumani janë zhvilluar protesta të shpeshta rreth më shumë se një vit më parë, por rastet e dhunës kanë qenë të rrallë.
Gjatë 15 viteve të fundit, rreth katër milionë njerëz janë larguar nga Rumania, një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara anëtare të BE-së, me një pagë mesatare mujore prej vetëm 590 dollarësh.
Facebook Forum