Lidhje

Rumani: Protestat detyrojnë qeverinë të tërheqë ligjin e debatueshëm


Pas një takimi urgjent të kabinetit qeveritar të dielën, Kryeministri rumun Sorin Grindeanu deklaroi për mediat se do të tërhiqet dekreti që do të dekriminalizonte veprime korruptive të zyrtarëve. Vetë Kryeministri pati deklaruar një javë më parë se nuk kishte ndërmend të tërhiqte mbrapsht projektligjin në fjalë. Protestuesit premtuan se do të vazhdojnë grumbullimet masive, të cilat janë më të mëdhatë që ka përjetuar Rumania, që nga viti 1989 me rënien e diktaturës komuniste.

Pas një takimi urgjent ditën e sotme të kabinetit qeveritar, Kryeministri Grindeanu, deklaroi në televizion se nuk dëshironte përçarjen e vendit dhe se do të tërhiqte projektligjin që do të mbronte zyrtarët nga hetimi për korrupsion.

Me pjesëmarrje prej rreth 140 mijë vetësh, protestat e këtyre ditëve kanë qenë më të mëdhatë në Rumani, që nga viti 1989, kur u rrëzua diktatori Nicolae Ceausescu.

Në projektligjin që u tërhoq parashikohej dekriminalizimi i shkeljeve të politikanëve me fonde deri në shumën 47800 dollarë. Kritikët ishin shprehur se ky ligj do të mundësonte lirimin e politikanëve të korruptuar, si dhe do të inkurajonte zyrtarët të vidhnin nga fondet publike.

Qytetarët rumunë thonë se ata nuk do t’i ndalojnë protestat, edhe pasi qeveria tërhoqi dekretin që do të kishte mbrojtur dhjetëra politikanë nga hetimi për korrupsion.

“Duam që qeveria jonë të largohet. Është një turp i madh. Demokracia është për popullin, për të respektuar dëshirën e popullit që ka dalë në rrugë. Ne nuk dorëzohemi dhe do të vazhdojmë protestat. Shpresoj të mblidhemi këtu edhe nesër dhe për çdo ditë në vazhdim”, thotë një protestuese.

Me një deklaratë të përbashkët për projektligjin e qeverisë rumune, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kanadaja, Finlanda, Hollanda, dhe Franca ishin shprehur se qeveria rumune zhbëri progresin e arritur gjatë 10 viteve të fundit për funksionimin e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.

XS
SM
MD
LG