Lidhje

Rompuj në Shkup: Zgjidhni çështjen e emrit


Rompuj në Shkup: Zgjidhni çështjen e emrit
Rompuj në Shkup: Zgjidhni çështjen e emrit

Presidenti i Këshillit Evropian (të BE-së) Herman Van Rompuj ishte për vizitë në Shkup ku theksoi se Bashkimi Evropian është i hapur për zgjerim por se për këtë duhet të plotësohen kriteret. Ai tha se perspektivën e vendeve të rajonit e shikon në Bashkimin Evropian. Zoti Rompuj inkurajoi autoritetet maqedonase për realizimin e reformave, ndërkohë që bëri thirrje për zgjidhjen e problemit të emrit të këtij vendi.

Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuj theksoi nevojën për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Zoti Rompuj shprehu zotimin e tij për stabilitet të rajonit të Ballkanit dhe për perspektivën e tij evropiane. Ai tha se Maqedonia ka bërë përparim në vitet e kaluara ndërkohë që inkurajoi autoritetet e këtij vendi që të vazhdojnë me reforma të plota dhe ketë qeverisje të mirë e sundim të së drejtës.

Zoti Rompuj mes tjerash, theksoi mbështetjen e fuqishme që Bashkimi Evropian ia jep Marrëveshjes së Ohrit për të cilën tha se ka ndërtuar shoqërinë shumetnike dhe demokratike në këtë vend.

Zyrtari i lartë evropian vuri në dukje se me zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë do t’i hapen dyert kësaj republike drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ai la të kuptohej se edhe pse Bashkimi Evropian nuk është përfshirë drejtpërdrejtë në çështjen e emrit të Maqedonisë, do të duhej të kishte një pëlqim të dyanshëm mbi këtë, pra midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski e shikon vizitën e presidentit të Këshillit Evropian Van Rompuj si një mesazh për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Kryeministri Gruevski shprehu qëndrimin se zgjerimi do të duhej bërë mbi bazë të meritave individuale, të çdo shteti veç e veç. Ai tha se vendi i tij është përqendruar tek realizimi i reformave ndërsa theksoi maksimalizimin, siç tha, të përpjekjeve të qeverisë së tij për zgjidhjen e çështjes së emrit. Autoritetet maqedonase presion një raport pozitiv nga Komisioni Evropian në nëntor të këtij viti.

Ndërkohë, analistët dhe komentatorët në Shkup vlerësojnë se vizita e zotit Rompuj, pas komenteve të djeshme që ai bëri nga Brukseli, mund t’i rrënojë shpresat e Maqedonisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE me referencën Fyrom.

Këshilli Evropian të cilin e drejton zoti Rompuy është një organ i cili përcakton drejtimet e përgjithshme politike dhe përparësitë e Bashkimit Evropian. Para nisjes në turnenë ballkanike zoti Rompuy ka bërë të ditur se në Bashkimin Evropian nuk ka vend për konfliktet rajonale.

XS
SM
MD
LG