Lidhje

Rriten tensionet rajonale në detin e Kinës Jugore


Ndërsa rriten tensionet mes Kinës dhe vendeve të tjera në detet e Kinës së Jugut, analistët thonë se agjencitë qeveritare të Kinës që nuk kanë shumë përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare po i bëjnë rivalitet njëra-tjetrës për pushtet, duke paraqitur një politikë konfuze në këtë territor të debatuar.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se Kina i ka rritur tensionet mbi mosmarrëveshjen duke nxjerrë në pah pretendimet me baza historike të Pekinit dhe duke shtuar kështu ndjenjat nacionaliste.

Stephanie Kleine Ahlbrandt, Drejtore për Politikën mbi Kinën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave thotë se rritja e pranisë ushtarake amerikane në rajon është gjithashtu një faktor që e ka tronditur balancën e pushtetin mes vendeve të rajonit. Ajo thotë:

“Kjo e acaron situatën në gjithë rajonin dhe përtej Deteve të Kinës Jugore, në vende si Birmania dhe India. Dhe kjo e shqetëson thellësisht Kinën sespe Kina e sheh këtë zonë si rajonin e Kinës kështuqë ka reaguar duke intensifikuar praninë ushtarake që krijon një si rreth dhe këto vende frikësohen edhe më shumë dhe kërkojnë ndihmën amerikane”.

Shtetet e Bashkuara kanë organizuar stërvitje të përvitshme me vendet e rajonit por këto përpjekje po mbikqyren më me kujdes tani që janë rritur tensionet për Detin e Kinës së Jugut. Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet mbajtën provat e përvitshme të përbashkëta të marinës dhe Kina dhe Rusia kanë filluar stërvitjet e tyre të përbashkëta ushtarake në rajon.

Huang Jing është profesor dhe drejtor i Qendrës për Azinë dhe Globalizimin në Universitetin Kombëtar të Singaporit. Ai thotë:

“Kemi dy qendra. Kina, si qendër ekonomike dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre si qendër sigurie. Si rezultat të gjitha vendet e përfshira janë mbërthyer në këtë dilemë. Ekonomikisht, alternativa e tyre e vetme është që të jenë aleatë me Kinën sepse Kina është partnerja më e madhe e tregëtisë për cdo vend në rajon, edhe për Japoninë dhe Korenë e Jugut që janë aleatë të Amrikës. Nga ana tjetër, ato e dinë që Shtetet e Bashkuara kanë fuqi të padiskutueshme nga ana ushtarake”.

Vendet aziatike kanë blerë armë me një ritëm të pashembull vitet e fundit, duke shkaktuar shqetësime për akumulimin e arsenalit ushtarak. Por deri tani përplasjet kanë qenë kryesisht për anije civile dhe flota peshkimi. Ahlbrandt thotë se varkat janë më të lehta për t’u dislokuar duke i bërë përplajset më të zakonshme.

“Kështuqë gjendja e krijuar është pothuajse si një armë armatimesh të Rojave Bregdetare dhe kjo është e rrezikshme sepse anijet e marinës janë përgjithësisht më kërcënuese por më të vështira për t’u dislokuar”.

Mijëra peshkatarë e sigurojnë jetesën në Detet e Kinës Jugore. Por për shkak të peshkimit të shumtë, ndotjes dhe garës për të ushqyer popullsitë në rritje në Azi, peshkatarët po zhvendosen gjithnjë e më thellë në ujrat e debatuara të Detit të Kinës Jugore.

Ndërsa fuqia në rritje ekonomike dhe ushtarake e Kinës mund ta bëjë atë që gjithnjë e më shumë të insistojë në pretendimet territoriale, Ahlbrandt thotë se shumë vende, si për shembull Vietnami po tregojnë agresivitet në rritje në rajon.

Vendet në rajon janë përpjekur t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes bisedimeve dhe një nga synimet më të rëndësishme të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) ka qenë që të arrihet në një kod të përbashkët sjelljeje. Por këto përpjekje nuk kanë pasur shumë sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale. Ndërkohë vendet kanë shtuar në debat edhe tone nacionaliste gjë që e ka vështirësuar gjetjen e një zgjidhjeje.

Këtë muaj Kina dhe Filipinet janë mbërthyer në një mosmarrëveshje lidhur me një territor që të dyja vendet pretendojnë se është pjesë e tyre. Një gazetë kineze ka paralajmëruar për një konflikt me Filipinet për këtë korridor ujor. Huang Jing thotë se një retorikë e tillë e ashpër udhëhiqet nga dinamika e brendshme politike e Kinës:

“Ndërsa Kina hyn në këtë periudhë tranzicioni të udhëheqjes, të gjithë anëtarët e elitës në pushtet janë të përgatitur për këtë tranzicion. Si rezultat, ata nuk mund të shfaqen të butë përsa i takon interesave kombëtare si në detet e Kinës së Jugut”.

Ndërsa Kina përgatitet për tranzicion pushteti në Kongresin Kombëtar të Partisë në nëntor, shanset janë që retorika e ashpër dhe komentet agresive për rajonin e debatueshëm të vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG