Lidhje

Rritet pabarazia mes të pasurve dhe të varfërve amerikanë


Rritet pabarazia mes të pasurve dhe të varfërve amerikanë
Rritet pabarazia mes të pasurve dhe të varfërve amerikanë

Shifrat e zyrës amerikane të regjistrimit të popullsisë flasin për një hendek të paparë mes të varfërve dhe të pasurve në Shtetet e Bashkuara. Shifrat e reja kanë ngjallur shqetësime mes ekspertëve se pabarazia mund të ketë ndikim në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë amerikane.

“Si u bëre kaq i pasur?” është emri një programi televiziv me personazh kryesor komedianen Xhoan Rivers, ku tregohet se si janë pasuruar disa amerikanë.
“Asnjërit që ne kemi intervistuar nuk i mungonte etika e mirë e punës. Këta njerëz nuk ankohen nga recesioni ekonomik dhe nuk thonë se nuk mund t’ia dalin”, thotë drejtuesja e emisionit.

Megjithatë nuk ka programe me titull “Si u bëre kaq i varfër” përveç statistikave.
Shifrat e fundit të zyrës për regjistrimin e popullsisë tregojnë se numri i amerikanëve që jetojnë në varfëri është më i larti në më shumë se gjysmë shekulli. Kjo zyrë thotë se hendeku i të ardhurave mes të pasurve dhe të varfërve në Shtetet e Bashkuara ka ardhur duke u thelluar vitet e fundit, duke arritur kulmin në vitin 2009.

Ekonomistët thonë se recesioni është një nga arsyet e rritjes së numrit të të varfërve. Henry Freedman, drejtor i organizatës Qendra Kombëtare për Ligjin dhe Drejtësinë Ekonomike, thotë se një arsye tjetër është tkurrja e klasës së mesme.
“Në sektorin prodhues po eliminohen vende pune, disa punë administrative po eksportohen në vende tjera ose po zëvendësohen me teknologji të reja. Njerëzit që kanë punuar në këta sektorë e kanë të vështirë të konkurrojnë për vende pune.”

“Pasuria sjell pasuri, varfëria sjellë varfëri,” thotë Robert Hokins, profesor i shkencave shoqërore në univesitetin e Nju Jorkut. Sipas tij, njerëzve në rajonet e varfëra u mungojnë mundësitë bazë që kanë shumë nga të pasurit.
“Kemi të bëjmë me njerëz që nuk kanë patur dhe nuk kanë mundësi për të ecur përpara. Pra, këta njerëz nuk mund të arsimohen mirë dhe si pasojë nuk mund të gjejnë punë.”

Zoti Hawkins thotë se ata që kanë rënë në varfëri nuk mund të mbështeten tek miqtë apo fqinjët e tyre të varfër sepse asnjëri prej tyre nuk i kanë mundësitë. Ai shton se kjo krijon një rreth vicioz krimi dhe shtatzanësi tek adoleshentët, sëmundje kronike dhe vdekje të hershme.

Henry Freedman thotë se rritja e hendekut në të ardhura mes të varfërve dhe të pasurve në Amerikë mund të krijojë një shoqëri me dy shtresa e cila e humb ndjenjën e saj të komunitetit.
“Nga njëra anë janë njerëzit që luftojnë për mbijetesë e që bien pre e demagogjisë dhe nga ana tjetër janë ata që e përdorin pasurinë për t’u ndarë nga shoqëria në vend që të marrin pjesë aktive në të.”

Robert Hawkins thotë se tkurrja e klasës së mesme mund të ndikojë negativisht në cilësitë e atyre njerëzve të cilët klasa mesme tradicionalisht i nxjerr për t’u bërë mësues, ruajtës të rendit apo të shëndetit të njerëzve dhe për shërbime të tjera nga të cilat përfitojnë edhe të pasurit.

Profesori thotë se të pasurit kanë gjithnjë e më shumë ndikim politik në Amerikë, jo sepse ata luajnë me sistemin, por sepse shtresa e varfër nuk e shfrytëzon plotësisht sistemin.
“Nëse njerëzit me të ardhura të ulta duan më shumë pushtet politik, ata duhet të organizohen dhe të votojnë. Kjo është zgjidhja më e mirë dhe ndoshta e vetmja.”

Hawkins thotë se arsimi dhe shëndetësia janë çështje që duhen zgjidhur për të ndihmuar shtresën e varfër në planin afatgjatë. Ajo që duhet bërë menjëherë është që si të pasurit ashtu edhe të varfërit të fillojnë të shpenzojnë sepse paraja që vihet në qarkullim ndihmon në krijimin e vendeve të punës. Problemi është se të varfërit nuk kanë para për të shpenzuar ndërsa të pasurit nuk e kanë kapërcyer frikën e pasigurisë ekonomike të shkaktuar nga recesioni ekonomik global.

XS
SM
MD
LG