Lidhje

Rrjedhja e naftës, vazhdojnë polemikat rreth shkaqeve


Zyrtarët e gjigandit të naftës, British Petrolem, thonë se e kanë dyfishuar, në 2 mijë fuçi në ditë, sasinë e naftës që kanë arritur të kapin në tubacione nga pusi i çarë në fund të detit në Gjirin e Meksikës. Kjo mendohet të jetë rreth 40 përqind e sasisë së naftës që po rrjedh nga pusi i çarë. Ndërkohë, sot është dita e dytë e dëshmive që zyrtarë të administratës amerikane, po japin në Kongres lidhur me rrjedhjen e naftës në det.

Senatorët që drejtuan seancën dje, u shprehën me tone të ashpra në kritikat e tyre ndaj kompanisë BP dhe përpjekjeve të pamjaftueshme, siç i cilësuan ata, për të reaguar ndaj një problemi të tillë madhor.

“Ajo që më shqetëson është fakti se duket që askush nuk kishte një plan për një skenar të tillë. Si mendoni, a është një përfundim me vend?”

“Nuk kishte një plan të mirëfilltë për një shpërthim nga një grykë pusi në tabanin e detit. Kishim një plan konvencional, që mund të vihej në zbatim shumë shpejt”, përgjigjet presidenti i filialit të kompanisë BP për Amerikën e Veriut, Lamar McKay, por ai pranon se deri tani rezultati i këtyre përpjekjeve ka qenë i pakënaqshëm.

Inxhinierët e kompanisë BP i kanë varur shpresat tek plani i ri, pasi përpjekjet e tjera dështuan gjatë 3 javëve të fundit. Nënpresidenti i kompanisë Kent Wells thotë se metoda do të pakësojë naftën që derdhet në det.

“Nafta dhe gazi derdheshin nga pjesa e sipërme e pusit. Tani kemi vendosur një pajisje që e thith një pjesë të naftës dhe e dërgon direkt në cisternë, duke mos e lejuar të derdhet në Gjirin e Meksikës”.

Kompania pohon se nevojitet një zgjidhje më e plotë. Hapi tjetër është një përpjekje për të hedhur baltë dhe materiale të tjera në tabanin e detit për ta bllokuar pusin:

“Sipas parashikimeve, do të duhen 7-10 ditë të tjera para se të përfundojmë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ta vënë në jetë këtë opsion. Pastaj do të pompojmë baltën, me shpresën se do ta vulosë pusin dhe do të bllokojë rrjedhjen”.

Ndërkaq, në Luiziana dhe shtete të tjera të goditura nga katastrofa vazhdojnë përpjekjet për pastrim. Shkencëtarët shqetësohen se kriza do të përhapet, me përhapjen e njollës së naftës nga rrymat ujore të Gjirit.

Kriza ka pezulluar peshkimin në pjesën lindore të Luizianës. Por për momentin, ujërat në bregdetin perëndimor mbeten të hapura për peshkim.

Sekretarja për Sigurim Kombëtar Janet Napolitano komentoi dje për krizën:

“Duhet ta themi hapur – jemi në mes të krizës, jo në fillimet e saj. Kemi një muaj që përballemi me këtë problem. Por nuk jemi pranë përfundimit. Sipas mendimit tim, detyra jonë është të vazhdojmë punën. Të vazhdojmë dislokimet, përgatitjet e pastrimet”.

Miliona litra naftë janë derdhur deri tani në Gjirin e Meksikës. Shkencëtarët kanë zbuluar flluska gjigande nafte që shtrihen për kilometra të tëra nën ujë dhe mund të helmojnë ekosistemet e shumë gjallesave, duke shkaktuar dëme që do të ndjehen për dekada me radhë.

XS
SM
MD
LG