Lidhje

Ruanda, 20 vjet pas gjenocidit


Sot Ruanda shënon 20 vjetorin e fillimit të gjenocidit të vitit 1994, që shkaktoi vdekjen e 800 mijë vetëve. Ndërsa banorët e Ruandës shënojnë këtë përvjetor, shumë njerëz këto ditë reflektojnë rreth problemeve që mbeten për t’u kapërcyer dhe nëse drejtësia është vënë në vend siç duhet.

Në burgun kryesor në Kigali, të burgosurit ndaj të cilëve janë zhvilluar procese gjyqësore, kanë veshur rroba në ngjyrë portokalli. Ata që ende presin gjyqin janë veshur në rozë, por tani ata janë vetëm një pakicë.

Menjëherë pas gjenocidit të vitit 1994, gjatë të cilit brenda 100 ditëve u masakruan 800 mijë njerëz të fiseve tutsi dhe hutu, 120 mijë vetë u akuzuan për pjesëmarrrje në vrasje.

Në vitet e para, të gjithë të akuzuarit u nxorën para gjyqit, kujton Balinda Anastase, koordinator në Ministrinë e Drejtësisë.

"Ne llogaritëm se nëse çdo vit gjykohen mesatarisht 1 mijë vetë, do të duhet një shekull për gjykuar të 120 mijë të burgosurit.”

Për të shpejtuar procesin, në fillim të viteve 2000 u zbatua një sistem drejtësie tradicional. Në gjykatat e Gatchatchas, komuniteti zgjodhi gjyqtarë për të zhvilluar proceset ndaj të dyshuarve. Por Anastase thotë se fillimisht pati disa vështirësi.

"Disa njerëz nuk ishin të ndershëm në paanshmërinë e tyre, pati raste të frikësimit të dëshmitarëve dhe madje edhe vrasje, ndërsa fqinjët dilnin dëshmitarë kundër njëri tjetrit. Nuk ishte e lehtë.”

Human Rights Watch dhe grupe të tjera të të drejtave të njeriut shprehën kritika për informalitetin e gjykatave, për mungesën e trajnimit të gjykatësve dhe avokatëve të përshtatshëm për të pandehurit.

Por qeveria e Ruandës i doli në mbrojtje sistemit, duke thënë se ky lloj gjykimi në komunitet ndihmoi në pajtimin e njerëzve. Për t’i ardhur në ndihmë këtij procesi, një ligj i vitit 2008, po ashtu i pakësoi dënimet për personat që shfaqën pendim dhe kërkuan falje për krimet.

Sekretari i Shoqatës së të Mbijetuarve të Gjenocidit, Naphtal Ahishakiye thotë se kjo ishte shumë e rëndësishme për të mbijetuarit.

"Si të mbijetuar, ne përfituam shumë gjëra nga Gacaca, mësuam se çfarë i kishte ndodhur familjarëve tanë.”

Gjyktatat Gatchatchas u mbyllën në vitin 2012. Në 10 vjet operimi, qeveria e Ruandës thotë se ato zhvilluan procese gjyqësore ndaj rreth 2 milionë të dyshuarve, 65 për qind e të cilëve u dënuan.

Për të gjykuar udhëheqësit e gjenocidit, Kombet e Bashkuara në vitin 1994 krijuan Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për Ruandën, me bazë në Arusha të Tanzanisë.

Kjo gjykatë ka dënuar 49 vetë nën akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit, ose gjenocid, përfshirë ish kryeministrin Jean Kambanda, i cili u dënua me burgim të përjetshëm.

XS
SM
MD
LG