Lidhje

Miliarderi Rubenstein, një filantrop amerikan


Miliarderi David Rubenstein po ndihmon për ruajtjen e historisë amerikane, duke financuar projekte restaurimi për disa nga objektet më historike të vendit. Në vazhdim të mësojmë arsyen pse ky aspekt është kaq i rëndësishëm për të.

Biznesmeni David Rubenstein dhuron një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij për restaurimin e disa prej objekteve historike të Amerikës.

Ai e quan filantropi patriotike të ndihmosh vendin tënd të ruajë trashëgiminë dhe kujtesën e tij. Zoti Rubenstein krijoi një pasuri prej miliarda dollarësh si bashkëthemelues dhe drejtues i Grupit Carlyle, një firmë investimesh globale me qendër në Uashington.

Por, ai e kalon një pjesë të kohës duke bashkëpunuar me Shërbimin e Parqeve Kombëtare të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në restaurimin e disa prej monumenteve dhe ndërtesave më të rëndësishme historike. Kur një tërmet dëmtoi Monumentin e Uashingtonit në vitin 2011, zoti Rubenstein dhuroi 7.5 milionë dollarë, pra gjysmën e kostos së restaurimit.

“Është një ndërtesë - ikonë dhe një nga simbolet më të famshme të vendit. Kur pësoi dëme nga tërmeti, mendova se do të ishte ide e mirë të kontribuoja për riparimin sa më të shpejtë,” thotë zoti Rubenstein.

Me mbi 5 milionë dollarë të tjera, ai po ndihmon gjithashtu për ruajtjen e Memorialit të Luftës “Iwo Jima” të Marinsave të Shteteve të Bashkuara, në Virginia.

Për të, kjo është diçka personale.

“Im atë ishte marins dhe duke menduar se si mund ta nderoja më shumë, vendosa të bashkëpunoj me Shërbimin Kombëtar të Parqeve për ta modernizuar dhe riparuar këtë objekt që ishte lënë pas dore.”

Aaron LaRocca, i Shërbimit Kombëtar të Parqeve, thotë se donacioni i filantropit erdhi në momentin më të duhur.

“Në vitin 2016 mbushet 100 vjetori i Shërbimit Kombëtar të Parqeve. Donacioni do të shërbejë për ruajtjen e të gjithë statujës, që nga shtiza që mban flamurin dhe deri në themelin e platformës.”

Me mbi 12 milionë dollarë të tjerë, zoti Rubenstein po ndihmon për ruajtjen e Memorialit të Robert E. Lee, të quajtuar Shtëpia e Arlingtonit.

Shtëpia historike ka qenë një plantacion që gjendet brenda territorit të Varrezave Kombëtare në Arlington, përballë Lumit Potomac.

“Një pjesë e vogël e projektit është heqja e tullave nga themeli për të analizuar gjendjen e tyre, dhe për të zëvendësuar ato të dëmtuarat me tulla sa më të ngjashme.”

David Rubenstein shpreson së përpjekjet e tij filantrope do t’i inkurajojnë amerikanët të mësojnë më shumë për vendin e tyre dhe për të kontribuar më shumë.

“Fjala ‘filantropi’ vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë “të dashurosh njerëzimin”. Nuk përkthehet në vetëm të pasur që mbushin çeqe. Sigurisht, mund të kontribuosh me paratë që ke, por mund t’i përkushtosh gjithashtu kohën, energjitë, dhe idetë ndihmës për komunitetin, shtetin, dhe vendin.”

XS
SM
MD
LG