Lidhje

Protestat në Rusi, komentojnë analistët

  • Daniel Schearf

Të hënën një gjykatë në Rusi dënoi udhëheqësin e opozitës dhe blogerin e anti-korrupsionit, Alexei Navalny me pesëmbëdhjetë ditë burg për rezistencë ndaj policisë dhe me një gjobë prej 20.000 rublash, rreth 350 dollarë amerikanë, për organizim të protestave masive në Moskë.

Alexei Navalny i hodhi poshtë pretendimet zyrtare se protesta e mbajtur të dielën pasdite, ishte e paligjshme.

"Në përputhje me vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese e Rusisë, në rast se refuzohet kërkesa jonë, nëse nuk na propozohet për vend alternativ tre ditë përpara, ne kishim të drejtën të protestonim në vendin për të cilin bëmë kërkesën fillestare. Kushtet ligjore janë respektuar 100 për qind", zoti Navalny citohet nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS të ketë thënë në gjykatë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të hënën tha se autoritetet e Moskës ofruan dy vende alternative për organizatorët, sipas agjencisë së lajmeve Interfax. "Këto vende u refuzuan. Në fakt, njerëzit janë dërguar qëllimisht në vende të paautorizuara. Natyrisht, kjo është e papranueshme," tha ai.

Zoti Peskov i quajti protestuesit provokatorë, në kërkim të nxitjes së dhunës dhe akuzoi organizatorët se kanë shfrytëzuar fëmijët, duke pretenduar se shumë prej tyre janë paguar për të marrë pjesë në protestë. Ai nuk tha prova për këtë pretendim. Avokati i zoti Navalny tha se do ta apelojë vendimin.

Protesta masive

Organizatorët thanë se të dielën u mbajtën demonstrata kundër korrupsionit në më shumë se 80 qytete në të gjithë Rusinë.

Ato ishin protestat më të mëdha anti-qeveritare pa leje në Rusi që nga protestat masive të viti 2011-2012 kundër manipulimit të zgjedhjeve dhe kthimit të Vladimir Putinit në presidencë.

Protesta u zhvillua në 17-vjetorin zgjedhjes së Vladimir Putinit për herë të parë si president i vendit.

Qindra protestues paqësorë u ndaluan në Moskë, disa brutalisht u tërohoqën zvarrë në tokë vetëm për shkak se po mbanin parulla që kritikonin autoritetet dhe korrupsionin.

Alexei Navalny u arrestua pasi mbërriti në protestën që po mbahej në rrugën Tverskaya pranë Sheshit Pushkin në qendër të Moskës. Disa vëzhgues dhe gazetarë gjithashtu thuhet se u ndaluan.

Uashingtoni ka "dënuar ashpër" arrestimin e protestuesve, përfshirë Alexei Navalny-in.

"Ndalimi i protestuesve paqësorë, vëzhguesve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve është një fyerje për vlerat themelore demokratike", tha përmes një deklarate zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner.

Ai tha se së Shtetet e Bashkuara janë të "tronditura" nga arrestimi i zotit Navalny, i cili ka njoftuar planet për të kandiduar për president në zgjedhjet e vitit 2018.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se populli rus meriton një qeveri që mbështet një "treg të hapur të ideve, qeverisje transparente dhe të përgjegjshme, trajtim të barabartë në përputhje me ligjin dhe aftësinë për të ushtruar të drejtat e tyre pa frikë nga hakmarrja."

Pika e kthimit?

Ngjarja e së dielës "mund të jetë një pikë kthese për situatën politike në Rusi, sepse kjo tregon se fryma në shoqërinë ruse po ndryshon dhe njerëzit janë të gatshëm të protestojnë", tha Boris Kagarlitsky, drejtor i Institutit për Studime të Globalizimit dhe Lëvizjeve Sociale. "Ajo gjithashtu tregon se po del një brez i ri protestuesish që nuk ka marrë pjesë në protestat e viteve 2011-2012 dhe që nuk e identifikon veten me ideologjitë politike apo dominuese të Rusisë."

Një numër i madh protestuesish ishin të rinjë rusë, studentë universiteti. Disa analistë thonë se kjo mund të jetë një tregues se Kremlini dhe elita politike është duke humbur lidhjen me brezin e ri.

"Ngjarjet do të motivojnë autoritetet të jenë më të vëmendshme ndaj të rinjve, sidomos adoleshentëve dhe komunikimeve të tyre në internet", tha Mikhail Chernysh, zëvendës drejtor i Institutit të Sociologjisë. "Në të njëjtën kohë, unë mendoj se autoritetet e bazojnë gjykimin e tyre në faktin se të rinjtë nuk janë shumë të rëndësishme për procesin zgjedhor, thjesht për shkak të numrit të tyre. Ata janë bllok më i vogël votuesish se grup-moshat e tjera. Të moshuarit përbëjnë bllokun më të madh të votuesve dhe në krahasim me të rinjtë ata janë votues më aktivë dhe kanë më shumë ndikim në proceset zgjedhore."

Protestat u nxitën nga hetimi që po zhvillonte udhëheqësi i opozitës, Alexei Navalny mbi dyshimet për korrupsion nga kryeministri Dmitry Medvedev. Fondi për Luftimin e Korrupsionit, një organizatë që drejtohet nga zoti Navalny, publikoi rezultatet e hetimit në një video në YouTube ku tregohen prona që mendohet se zotërohen nga kryeministri Medvedev. Videoja ka marrë mbi 11 milionë klikime.

Në gjykatë të hënën, zoti Navalny kërkoi që kryeministri Medvedev të merrej në pyetje. Medvedev ende nuk ka bërë komente për këto akuza.

"Një ndryshim tjetër interesant është se protestat filluan në qytetet provinciale më herët se sa ato në Moskë dhe numri i njerëzve që protestonin në qytetet provinciale ishte e pashembullt", thotë zoti Kagarlitsky. "Këto ngjarje tregojnë se njerëzit janë me të vërtetë të lodhur, jo vetëm nga korrupsioni, por edhe nga problemet e tjera ekonomike dhe sociale."

Alexei Navalny të hënën u tha gazetarëve në gjykatë se përsëri do t’u bëjë thirrje njerëzve të protestojnë, duke thënë se autoritetet mund të ndalojnë mijëra, por jo dhjetëra mijëra apo miliona njerëz.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG