Lidhje

Rusia kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve amerikane


Ministria e Jashtme e Rusisë tha sot se ka informuar Uashingtonin se ka afat deri më 1 shtator që të largojë nga vendi një numër diplomatësh dhe se do të sekuestrojë prona diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Rusi.

“I propozojmë palës amerikane,” thuhet në reagimin e ministrisë ruse, “ta ulin numrin e personelit diplomatik e teknik të ambasadës amerikane në Moskë dhe të konsullatave amerikane në Rusi në nivelin e saktë të personelit diplomatik e teknik rus në Shtetet e Bashkuara”.

Rusia i ka kërkuar Uashingtonit që të reduktojë në 455 vetë personelin diplomatik dhe teknik amerikan që punon në ambasadën e Moskës dhe në konsullatat në qytete të tjera ruse.

Nuk është e qartë se sa konkretisht do të jetë numri i zyrtarëve e punonjësive amerikanë që kërkohet të reduktohen. Një zyrtar në ambasadën amerikane në Moskë shpjegoi pa pranuar të identifikohet me emër, se Shtetet e Bashkuara kanë rreth 1100 vetë në personelin diplomatik në Rusi, por kjo shifër përfshin specialistë amerikane edhe rusë.

Po ashtu Moska ka informuar Uashingtonin se që nga data 1 gusht, personeli i tij nuk do të jetë në gjendje të përdorë një magazinë të ambasadës në Moskë dhe një kompleks pushimi në rrethinat e kryeqytetit rus.

Masat ruse u morën në përgjigje të sanksioneve të aprovuara nga Kongresi amerikan të enjten. Ministria tha se sanksionet amerikane dëshmojnë “agresionin ekstrem të Shteteve të Bashkuara në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Ligjvënësit amerikanë miratuan të enjten një projek-ligj që vendos sanksione të reja jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut.

Senatorët e miratuan projekt-ligjin me shumicë dërrmuese, 92 vota pro, dy kundër, një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati ranë dakord mbi termat e masës ligjore.

Sanksionet u vendosën në përgjigje të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016. Presidenti rus Vladimir Putin i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.

Sanksionet synojnë të ndikojnë tek një numër industrish ruse për të dëmtuar ekonomikisht Rusinë.

Presidenti kundërshton

Presidenti Trump i kundërshton sanksionet, por projekt-ligji ka mbështetje të mjaftueshme në të dyja Dhomat e Kongresit që të mbijetojë edhe nëse presidenti i vë veton. Zoti Trump kundërshton në veçanti pasazhin në ligj që ndalon ndërhyrje nga presidenca me qëllimin për të lehtësuar sanksionet. Shtëpia e Bardhë është munduar prej javësh të ndikonte në zbutjen e sanksioneve të reja.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim duke thënë se sanksionet do të kenë ndikim tek sektori evropian i energjetikës.

Gjatë negociatave disa javëshe, administrata Trump u bëri rezistencë përpjekjeve që i shikonte si tentativë për të kufizuar kompetencat e degës ekzekutive për të lehtësuar sanksionet. Shtëpia e Bardhë ka argumentuar se këto përpjekje kufizojnë kapacitetin e Shteteve të Bashkuara për të ndikuar tek sjellja e Rusisë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me Putinin. Tani Shtëpia e Bardhë ka shprehur mbështetje:

“Presidenti i mbështet fuqimisht sanksionet ndaj këtyre vendeve dhe ato do që të mbeten në fuqi. Por njëkohësisht ai do të sigurohet se do të arrijmë marrëveshje të mira. Të dyja këto janë shumë të rëndësishme për presidentin,” tha zëvendës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders të hënën në konferencën për shtyp.

Sipas medias shtetërore ruse, Zëvendës Ministri i Jashtëm Sergei Riabkov paralajmëroi të mërkurën se sansionet e reja eliminojnë çdo shans për përmirësimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit. Ai shtoi se Rusia e kishte paralajmëruar më parë administratën Trump se do të kundërpërgjigjej nëse ligjvënësit amerikanë e miratonin ligjin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG