Lidhje

Transporti detar në Arktik


Ndërkohë që shumë njerëz janë të shqetësuar rreth efekteve negative të ngrohjes globale, ajo po krijon edhe mundësi përfitimi në disa raste. Në shtator, akulli në Polin e Veriut ishte shkrirë në një nivel nën mesataren e 25 viteve të fundit. Ndërsa akulli po pakësohet, anijet kanë filluar të mbushin boshllëqet.

Për shekuj me rradhë, arinjtë polarë kanë shijuar ujërat arktike në vetmi. Por tani, atyre po u shtohen miq gjatë verës. Verën e kaluar, Kina dërgoi për herë të parë një anije akullthyese, Snow Dragon, që kaloi mbi Rusi, gjatë rrugës nga Shangai në Islandë.

Pastaj, Yong Sheng, një anije mallrash e kompanisë kineze të transportit detar COSCO, u bë anija e parë tregtare që kaloi nga kjo rrugë e shkurtër gjatë verës. Lundrimin nga Shangai në Roterdam, ajo e bëri për dy javë më pak se sa do t’i kishte zgjatur normalisht nëpërmjet Kanalit të Suezit.

Siç tregojnë këto foto të NASË-s, akulli i Arktikut përreth Polit të Veriut zvogëlohet çdo verë. Dhe pritet që ky fenomen të vazhdojë.
Edhe presidenti rus Vladimir Putin është dakord me shkencëtarët amerikanë.

“Është absolutisht e qartë tashmë se klima po ndryshon.
Është e qartë tani që zona veriore mund të jetë e hapur për lundrimin e anijeve për 100 ditë apo ndoshta 150 ditë, dhe se rajone të reja po hapen për aktivitet ekonomik.”

Ndërsa Rusia po investon më shumë për anijet akullthyese, ekspertët në një konferencë të kohëve të fundit për Arktikun thonë se shohin mundësi në rritje për tregti. Zoti Felix Tschudi, kryetar i një kompanie norvegjeze transporti, ka transportuar xeheror hekuri nga Norvegjia veriore në Kinë.

“Ne besojmë se mundësitë për Rrugën Detare Veriore janë të mëdha. Por do të ndodhë gradualisht. Në 2010-ën, katër anije e përdorën këtë rrugë. Në 2011-ën, kishte 34 anije. Dhe në 2012-ën kishte 46. Këtë vit priten rreth 50 anije.”

Lawson Brigham ishte kapiteni i anijes akullthyese të Rojeve Bregdetare të Shteteve të Bashkuara, bazuar në Alaskë.

“Në të vërtetë, kjo është një shtojcë sezonale për Kanalin e Suezit, për transportin e burimeve natyrore. Ne nuk do të ndryshojmë trafikun global të anijeve me konteniere.”

Udhëheqësit indigjenë dhe ambientalistët janë të shqetësuar rreth një derdhjeje nafte në mjedisin e veriut. Aqqaluk Lynge, nga Groenlanda , është kryetar i Këshillit Inuit Ndërpolar.

“Arktiku nuk mund të përdoret si laborator. Oqeani Arktik është toka e fundit e paprekur. Është shtëpia jonë. Njerëzit duhet të kuptojnë se ka njerëz që jetojnë këtu.”

Por fqinji i tij, presidenti i Islandës Olafur Grimsson, i mirëpret anijet kineze:

“Muajin e ardhshëm, shefi ekzekutiv i COSCO-s, i kompanisë kineze më të madhe të transportit, do të shpjegojë në Asamblenë e Rrethit Arktik në Rejkjavik se si Kina po përgatitet për një epokë të re të transportit detar, kur shkrirja e akullit të Arktikut do të lidhë Azinë në një mënyrë të re me Amerikën dhe Evropën.”

Ajo që mund të jetë e keqe për arinjtë polarë, mund të jetë e mirë për transportin detar mes Azisë dhe Evropës .
XS
SM
MD
LG