Lidhje

Kim Jong-un dhe Vladimir Putin zotohen për lidhje më të ngushta


Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u zotuan për lidhje më të ngushta në takimin e tyre të parë që u mbajt të enjten në qytetin lindor rus, Vladivostok.

Kim, i cili po kërkon ndihmë ekonomike në mes të bisedimeve të bllokuara bërthamore me Shtetet e Bashkuara, tha në fillim të takimit se shpreson të forcojë marrëdhëniet me Moskën dhe pret bisedime produktive me presidentin Putin.

“Mendoj që do të jetë takim i mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona që kanë një histori dhe traditë të gjatë”, i tha ai presidentit rus.

Presidenti Putin tha se mbështetë përmirësimin e marrëdhënieve të Koresë së Veriut me Washingtonin dhe shpreson për lidhje më të ngushta me Korenë e Veriut.

Takimi u mbajt në qytetin port të Rusisë, Vladivostok, rreth 200 kilometra në veri të kufirit me Korenë e Veriut.

Nuk është e qartë nëse takimi do të shkojë përtej një fotografie apo nëse do të ketë ndonjë marrëveshje të nënshkruar.

Kim pret të nxisë presidentin rus për ndihmë ekonomike, përkatësisht lirimin nga sanksionet ndërkombëtare, pasi që takimi i tij me presidentin amerikan, Donald Trump, që u mbajt në shkurt në Hanoi, përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

“Koreja e Veriut ka nevojë or një aleat”, tha Jang Se-ho, hulumtues në institutin e Seulit pët Strategjitë e Sigurisë Kombëtare. “Rusia ka kërkuar një mundësi për t’u përfshirë më shumë në gadishullin korean. Tani e ka këtë mundësi”.

I ulur përkrah presidentit Putin gjatë komenteve hyrëse, udhëheqësi i Koresë së Veriut u duk sikur po merrte frymë me vështirësi, duke nxitur spekulimet e vëzhguesve të Koresë së Veriut për shëndetin e tij.

"(Shëndeti i Kimit) është një punë e madhe në një perspektivë afatgjatë," megjithëse nuk është e qartë nëse do të ketë një ndikim afatshkurtër, tha Olga Krasnyak, nga Universiteti Yonsei i Seulit.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut që besohet të jetë rreth 35 vjeç, u duk pa frymë edhe gjatë një paraqitje të mërkurën pas arritjes në Rusi.

Të gjitha paraqitjet e tij ndiqen nga afër për shenja të tilla, pjesërisht ëpr faktin se publiku nuk ka rast të shoh shpesh paraqitjet e papërgatitura të udhëheqësit koreano verior.

Deri vitin e kaluar, ai nuk ishte larguar nga Koreja e Veriut, që kur morri pushtetin në vitin 2011.

Që atëherë ai u takua dy herë me presidentin Trump, tre herë me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, katër herë me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe një herë me presidentin e Vietnamit, Nguyen Phu Trong.

Pas takimit të muajit shkurt në Hanoi, ndëmrjet Kimit dhe presidentit Trump që përfundoi pa marrëveshje, Shtetet e Bashkuara kanë ngulur këmbë se nuk do të zbusin sanksionet përderisa Koreja e Veriut nuk përcaktohet për anulimin e programit të saj bërthamor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG