Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, priti dje homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Pallatin e Versajës pranë Parisit. Në bisedimet që ai i karakterizoi si “jashtëzakonisht të hapura dhe të drejtpërdrejta”, zoti Macron kritikoi median ruse për përpjekjet për të ndikuar tek zgjedhjet presidenciale franceze. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për komunitetin homoseksual në Çeçeni dhe rolin e Rusisë në Ukrainën Lindore dhe Siri.
Presidenti Macron zgjodhi madhështinë e Versajës për takimin e parë kokë më kokë me zotin Putin. Në luksin e pallatit mbretëror, ai ngriti çështje të vështira, si pasqyrimi i fushatës së tij nga media ruse. Zoti Macron akuzoi dy organe me peshë se ishin përpjekur të ndikonin zgjedhjet franceze në favor të rivales së tij, Marine le Pen, që ka pasur marrëdhënie të mira me zotin Putin.
“‘Russia Today’ dhe ‘Sputnik’ kanë qenë organe me ndikim gjatë gjithë fushatës dhe vazhdimisht kanë publikuar gënjeshtra për mua dhe fushatën time”.
Organizata për të drejtat e njeriut i kishin bërë thirrje Presidentit Macron që të ngrinte me zotin Putin çështjen e trajtimit të homoseksualëve në rajonin e Çeçenisë.
"Zoti Macron i kishte premtuar ‘Amnesty International’ gjatë fushatës se do t’i mbronte të drejtat e njeriut, jo vetëm në Francë por në botë. Prandaj në këtë rast ai kishte një mundësi që nuk duhej ta humbte, për të demonstruar vendosmëri të patundur, sepse ne e dimë që kjo është gjuha e vetme që kupton zoti Putin”, tha Cecile Coudriou e Amnesty International.
Pas bisedimeve, zoti Macron e bëri të qartë se e kishte mbajtur premtimin.
"Folëm për personat LGBT në Çeçeni por edhe për OJQ-të në Rusi. Për këto tema, unë ia shpreha shumë qartë pritshmëritë e Francës, Presidentit Putin”.
Presidenti francez kritikoi gjithashtu ndërhyrjet ushtarake të Rusisë në Rusi dhe Ukrainën lindore.
Nga ana e tij, presidenti Putin bëri thirrje që t’u jepet fund sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
"Ju bëj thirrje juve dhe përfaqësuesve të medias franceze: duhet të luftoni për të hequr të gjitha kufizimet në ekonominë globale. Vetëm eliminimi i të gjitha kufizimeve ndaj tregut të lirë dhe konkurrencës së lirë, të pavarur ndaj interesave politike dhe mjeteve oportuniste, mund të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë botërore, të kontribuojë në luftën kundër papunësisë dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët tanë”.
Sanksionet ndërkombëtare iu imponuan Rusisë si përgjigje ndaj aneksimit të paligjshëm të gadishullit të Krimesë në Ukrainë në vitin 2014 dhe mbështetjes për separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore. Në Siri, Rusia mbështet qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad në fushatën e përgjakshme për të shtypur opozitën.
Facebook Forum