Lidhje

Rusi: Ligj kundër homoseksualëve


Në qytetin e Soçit në Rusi, do të mbahen Lojrat Olimpike Dimërore pas gjashtë muajsh, pastaj kampionati Botëror i futbollit në vitin 2018, dhe vendi po konkurron edhe për Ekspozitën Botërore të 2020-ës. Por një ligj i ri, i cili ndalon shprehjet mbështetëse kundrejt të drejtave të homoseksualëve, ka nxitur reagime të ashpra në të gjithë botën.

Një aktivist i të drejtave të homoseksualëve u sulmua përpara ndërtesës së parlamentit në Moskë në fillim të vitit. Gjashtë të tjerë u ndaluan nga autoritetet në korrik, pasi u përpoqën të organizojnë një protestë jashtë një biblioteke fëmijësh në kryeqytetin rus.
Dhuna homofobe dhe stigma janë shumë të përhapura në Rusi, edhe pse mbështetja e martesave mes anëtarëve të të njëtit seks është rritur në mënyrë të qëndrueshme në perëndim.

Ligji i Shën Peterburgut që e bën të paligjshme “propagandën homoseksuale,” i miratuar në shkallë kombëtare dhe i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin në qershor, është hartuar nga ligjvënësi Vitaly Milonov:

“Pa dyshim, ne do t’u kërkojmë autoriteteve policore të na mbrojnë, të mbrojnë fëmijët tanë të cilët kanë ardhur këtu me ne, dhe të ndalojnë propagandën e sodomisë dhe pedofilisë të fëmijëve.”

Ligji supozohet të mbrojë të miturit, duke ndaluar diskutimin publik të “marrëdhënieve seksuale jo-tradicionale.” Por kritikët thonë se është thjeshtë një përpjekje për të kriminalizuar homoseksualitetin dhe lëvizjen për të drejtat e homoseksualëve që është në rritje në Rusi.

Ligji është pjesë e një sulmi të gjerë kundër grupeve të shoqërisë civile në vend, thotë aktivisti britanik për të drejtat e njeriut zoti Peter Tatchell.

“Po shohim gazetarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, avokatë dhe aktivistë politikë opozitarë se si po sulmohen, arrestohen dhe në disa raste, po akuzohen padrejtësisht për krime që nuk i kanë kryer. Kështu që, ky është thelbi i ligjit të ri. Është pjesë e autoritarianizmit të vazhdueshëm.”

Dhe kjo është vënë re. Në perëndim, klubet e homoseksualëve po bojkotojnë vodkën dhe ka patur thirrje për bojkotimin e Lojrave Olimpike në Soçi.

Kohët e fundit mijëra njerëz në Londër dhe qytete të tjerë të mëdha protestuan kundër ligjit anti-homoseksual. Aktori britanik Stephen Fry iu lut sportistëve të cilët do të konkurrojnë në Lojrat Olimpike Dimërore të tregojnë solidaritet me komunitetin rus të homoseksualëve, biseksualëve, dhe transgjinorëve me një gjest të thjeshtë.

“Ata thjeshtë mund të tregojnë një formë solidariteti tek Lojrat, sepse lojrat do të mbahen. Nuk do t’ia presin krahët para se të shkojnë në Olimpiadë, kështu që thjeshtë mund të bëjnë këtë.”

Presidenti Obama bëri një deklaratë javën e shkuar.

“Asnjë nuk është më i ofenduar se sa unë për shkak të disa ligjeve anti-homoseksuale që po shihen në Rusi.”

Shumica e rusëve e mbështesin këtë ligj. Zoti Peter Tatchell thotë se konservatizmi social i vendit luan rol në veprimet e zotit Putin:

“Në Rusi, regjimi i djathtë ekstremist, në aleancë me Kishën Orthodokse ruse, po e kthen çështjen e homoseksualitetit në një test lakmus për kulturën dhe identitetin rus. Është një taktikë shumë e zgjuar shmangëse, dhe mendoj se Putini dhe partia e tij po e shfrytëzojnë qëllimisht në mënyrë që të përfitojnë politikisht dhe t’u shmangen kritikave rreth dështimeve të tyre.”

Zyrtarët rusë, përfshirë ambasadorin në OKB Vitaly Churkin – të cilët u përballën me protestues në New York javën e shkuar – thonë se ligji nuk kriminalizon homoseksualitetin, por u shkrua për të mbrojtur fëmijët.

Aktivistët për të drejtat e homoseksualëve thonë se ai mund të përdoret për të arrestuar këdo që duket si mbështes për të drejtat e këtyre grupeve.


XS
SM
MD
LG