Lidhje

Rusia përfundon marrjen ushtarake të Krimesë


Udhëheqësit perëndimorë bëjnë thirrje për ulje të tensioneve dhe zgjidhje diplomatike të krizës

Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai rus Vladimir Putin biseduan mbrëmë në telefon në lidhje me nevojën për një zgjidhje diplomatike të krizës së konfrontimit të Rusisë me Ukrainën. Rusia e ka përfunduar marrjen ushtarake të Krimesë. Ka njoftime se Moska ka grumbulluar forca ushtarake në kufijtë mes dy vendeve dhe udhëheqësit perëndimorë po bëjnë thirrje për ulje të tensioneve dhe një zgjidhje diplomatike të krizës.

Presidenti amerikan Barak Obama i kërkoi homologut të tij rus Vladimir Putin të mos ndërmarrë asnjë hap për të shkelur më tej integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Ata diskutuan për krizën në Ukrainë në një bisedë telefonike.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon u bëri thirrje të gjitha palëve për të shtensionuar situatën , për të cilën ai tha se largon vëmendjen nga misione të rëndësishme të OKB-së:

"Unë jam gjithashtu shumë i shqetësuar se ndarjet në komunitetin ndërkombëtar prej kësaj situate mund të dëmtojnë aftësinë tonë për t’u marrë me shqetësime të tjera të ngutshme, si konflikte dhe emergjenca humanitare."

Ambasadori rus në OKB Vitali Çurkin mohoi akuzat se Moska kishte rol në shkallëzimin e krizës. Ai u tha gazetarëve në Nju Jork se rivendosja e rendit në vendin e tyre varet nga ukrainasit.

"Grupet e armatosura duhet të çarmatosen, radikalët duhet të frenohen dhe më e rëndësishmja, duhet të ketë një proces kushtetues, duhet të ketë një asamble kushtetuese, rezultatet e së cilës duhet të vihen në referendum," tha ai.

Ndërsa gjendja e Ukrainës është diskutuar në diplomacinë ndërkombëtare, parlamenti i vendit, nën presionin e protestuesve të krahut të djathtë, votuan për të zhvilluar një hetim lidhur me vdekjen këtë javë të njërit prej udhëheqësve kryesorë të ekstremit të djathtë.

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës Oleksandr Turchynov e dënoi grupin ultra-nacionalist që organizoi protestat:

"Kjo është rruga që e çon vendin në katastrofë, kjo mënyrë është kundër interesit të shtetit tonë, kjo është rruga që mbështet agresorin, i cili po përqëndron forcat e tij të armatosura në kufijtë e vendit tonë."

Ndërkohë, forcat ruse përfunduan marrjen ushtarake të Krimesë. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu i raportoi Presidentit Putin se të gjithë ushtarakët ukrainas besnikë të Kievit kishte dalë nga gadishulli i Detit të Zi.

Presidenti Putin urdhëroi që pajisjet ushtarake të konfiskuara nga trupat ukrainase, duke përfshirë kamionët, tanket dhe avionët, të kthehen në Ukrainë.
XS
SM
MD
LG