Lidhje

Përpjekjet e Moskës për përhapjen e propagandës ruse


Qeveria ruse po financon stacione radio-televiziive me destinacion audiencat e huaja, për të ofruar ato që i quan lajme dhe pikëpamje alternative. Më 1 korrik radioja shtetërore Sputnik filloi transmetimet nga një zyrë në Uashington, jo shumë larg nga Shtëpia e Bardhë. Kjo zyrë vjen pas stacionit televiziv rus RT në gjuhën angleze, më parë i njohur me emrin Rusia Sot, të hapur në Uashington prej disa vitesh. Të dyja zyrat kanë krijuar tashmë audiencat e tyre në Evropë dhe po përpiqen për t'u shtrirë në pjesë të tjera të botës.

Peter Eltsov, profesor i çështjeve të sigurisë ndërkombëtare në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Karolinën e Veriut, u intervistua nga radioja Sputnik në Beograd gjatë vizitës muajin e kaluar në Serbi. Ai thotë se nuk ka dyshim që pikëpamjet e saj janë të ndikuara shumë nga Kremlini.

“Ata nuk të ndërpresin. Por, mesazhi dhe pyetjet janë njëqind për qind pro-Kremlinit, sidomos për çështjet e ish-Bashkimit Sovjetik, për Ukrainën dhe Kaukazin, për politikën evropiane. Është në thelb sikur të dëgjosh drejtpërdrejt sekretarin e shtypit të zotit Putin".

Zoti Eltsov thotë se studioja e Sputnikut në Beograd është moderne dhe ndodhet mu në qendër të qytetit:

"Ata kanë një studio të bukur në Beograd, financohen shumë mirë, janë në Stari Grad, në qytetin e vjetër, kanë mjaft personel dhe njerëz që flasin disa gjuhë".

Mediat ruse të sponsorizuara nga shteti e arrijnë audiencën e tyre përmes televizionit kabllor dhe satelitor, internetit dhe mediave sociale. Sinjali i rrjetit televiziv RT dërgohet me satelit dhe kabllo te miliona familje në rreth 100 vende. Përveç kanalit ndërkombëtar në gjuhën angleze, RT ka programe në gjuhën arabe dhe spanjolle. Si Sputniku ashtu edhe RT janë akuzuar për praktika joetike. Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se ata u përpoqën të ndikojnë në fushatën presidenciale franceze në favor të rivales së tij, Marine le Pen.

"Rusia Sot dhe Sputniku kanë qenë organe ndikimi gjatë gjithë fushatës dhe kanë prodhuar në mënyrë të përsëritur kundër-të vërteta për mua dhe për fushatën time".

Por drejtuesit e programeve të Sputnikut thonë se qëllimi i tyre është të ofrojnë pikëpamje dhe informacione që mungojnë në mediat tradicionale:

"Mediat tradicionale intervistojnë njerëz që mbështesin linjën qeveritare dhe që ndjekin një lloj premise të miratuar qysh më parë," thotë Nixon.

RT ka intervistuar presidentin e Sirisë Bashar al-Assad dhe politikanë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, si britaniku Nigel Farage. Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange ka drejtuar më parë një emision në RT. I ftuari i parë në emisionin e tij ishte udhëheqësi i grupit terrorist Hezbollah të mbështetur nga Irani, Hassan Nasrallah.

Të ftuarit dhe programet që janë objekt polemikash duket se po tërheqin një audiencë në rritje në mbarë botën. Eltsov thotë se shumica e njerëzve në këto audienca janë të zhgënjyer nga qeveritë dhe mediat tradicionale në vendet e tyre. Ai thotë se nuk ka asnjë dëm të dëgjosh pikëpamje alternativë, për sa kohë që njerëzit ta dinë se kush i financon këto programe dhe përse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG