Lidhje

Rusia mirëpret fitoren e zotit Trump


Rusia mirëpriti me entuziazëm fitoren e presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump. Zv/Ministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov, tha dje se përfaqësues të qeverisë ruse kanë qenë në kontakt me punonjës të fushatës Trump, ndërsa zëdhënësja e fushatës së tij e hodhi poshtë këtë deklarim. Zyrtarë, analistë dhe qytetarë të zakonshëm rusë shpresojnë se ky zhvillim do të kthejë një faqe të re në marrëdhiet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Analistët rusë thonë se ka ende shumë të panjohura rreth zotit Trump dhe nëse retorika e tij gjatë fushatës do të shndërrohet në politikë.

Një votim i improvizuar nga ambasada amerikane në Moskë u u la në hije me shpejtësi nga rezultatet e papritura të garës së vërtetë presidenciale.

“Mendoj se disa njerëz nuk e besonin. Shumë njerëz mendonin se edhe nëse Donald Trump dukej se do të fitonte, atij do t’i vidhej fitorja nga elita amerikane. Kjo nuk ndodhi. Kjo dërgon një mesazh, edhe për Kremlinin, se demokracia funksionon në Amerikë.”

Presidenti rus Vladimir Putin përgëzoi zotin Trump, duke thënë se shpreson të bashkëpunojë me presidentin e ri amerikan për ta nxjerrë marrëdhënien nga kriza aktuale. Në rrugët e Moskës, fitorja e zotit Trump u mirëprit nga shumica e rusëve.

“Më duket si është një përfaqësues i denjë; do të jetë një president i mirë dhe marrëdhëniet me Rusinë do të përmirësohen,”- thotë një ruse.

Por, raportimi i mediave ruse dhe lavdërimet për zotin Trump gjatë fushatës së tij rritën pritshmëritë për një njeri nga jashtë politikës, që nuk mendohej se do të fitonte, dhe politikat e të cilit nuk janë ende të qarta.

“Tashmë kanë krijuar një tjetër Donald Trump – ‘Ai është i mirë; ai pëlqen Putinin; Putini e pëlqen atë’. Asgjë nuk është e sigurtë. Është tepër herët për t’ua veshur udhëheqësve ato që parafytyrojmë. Thonë në televizion se Donald Trump është i yni. E kanë absolutisht gabim.”- thotë një analist.

Pavarësisht shpresave dhe pritshmërive, një SHBA e udhëhequr nga Donald Trump do të jetë një kapitull i ri në marrëdhëniet me Rusinë.

XS
SM
MD
LG