Lidhje

Paul Ryan mban fjalimin në kuvendin republikan


Paul Ryan, kandidati republikan për nënpresident kritikoi ashpër politikat ekonomike të presidentit Obama dhe premtoi se votuesit do të arrijnë ta rrëzojnë ligjin për kujdesin shëndetësor të presidentit Obama të njohur si Obamacare. Zoti Ryan i bëri komentet në fjalimin që mbajti mbrëmë me rastin e pranimit të emërimit të partisë së tij në Tampa të shtetit Florida. Kandidati republikan për president Mitt Romney do ta pranojë emërimin e partisë së tij sonte.

Në fjalimin e tij në Kuvendin Republikan, kandidati për nënpresident Paul Ryan, i cili iu bashkua dyshes republikane vetëm dy javë e gjysmë më parë, tha se përshtypja e tij është se nuk ka parë ndonjëherë kundërshtarë kaq të dëshpëruar për të qëndruar në pushtet.

Siç pritej, zoti Ryan kritikoi ashpër Presidentin Obama, duke thënë se administratës i janë shterrur idetë dhe se ajo që atyre u ka mbetur tani janë frika dhe përçarjet.

Zoti Ryan tha se Presidenti Barack Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë gjatë një krize ekonomike dhe kjo i duhet mbajtur parasysh. Por ai tha se zoti Obama nuk i mbajti premtimet.

“Sot, 23 million burra dhe gra përpiqen të gjejnë punë. Janë 23 milion njerëz të papunë ose gjysmë të papunë. Një në çdo gjashtë amerikanë jeton në varfëri. Miliona të rinj amerikanë kanë mbaruar universitetin gjatë presidencës Obama por gjysma e tyre nuk gjejnë dot punën për të cilën kanë studiuar ose punë të çfarëdoshme”.

Zoti Ryan kritikoi ligjin e kujdesit shëndetësor të miratuar gjatë mandatit të Presidentit Obama. Ai tha se vendi hyri në një përpjekje të gjatë dhe përçarëse për ta vënë qeverinë federale në kontroll të kujdesit shëndetësor.

“Ligji për kujdesin shëndetësor ka më shumë se dy mijë faqe rregulla, mandate, taksa, pagesa dhe gjoba që nuk duhet të ekzistojnë në një vend të lirë”.

Ai tha se megjithëse Presidenti ka deklaruar se debati rreth këtij ligji ka marrë fund, këtë nuk do ta pranojnë miliona amerikanë që do të zgjedhin Mitt Romneyn, në mënyrë që ky ligj të anulohet.

Zoti Ryan foli edhe për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera dhe tha se një administratë Romney-Ryan do të flasë me besim dhe me qartësi për këtë çështje. Ai tha se kurdoherë që njerëzit në vende të tjera të ngrihen në këmbë për lirinë e tyre ata do ta dinë se presidenti amerikan është në anën e tyre.

Për politikën e jashtme folën mbrëmë edhe senatori John McCain, ish-kandidat republikan për president dhe zonja Condoleezza Rice, ish-sekretare e shtetit në administratën e presidentit Bush.

Për zonjën Rice, po flitet gjithnjë e më shpesh se ajo mund të ketë një rol në administratën e zotit Romney nëse ai zgjidhet president. Në fjalimin e saj, të cilin e mbajti pa ndihmën e teleprompterit, zonja Rice kritikoi administratën duke thënë se ajo nuk është në gjendje të jetojë brenda mundësive të saja, por vazhdon të marrë borxh para që do t’i faturohen së ardhmes së brezave të tjerë.

“Bota e kupton se kur një vend humbet kontrollin e financave, ai më në fund humbet kontrollin e fatit të tij. Kjo nuk është Amerika që ka frymëzuar popujt e tjerë për ta ndjekur në rrugën e saj”.

Sonte në kuvendin republikan, kandidati për president Mitt Romney do të pranojë emërimin e partisë së tij me një fjalim që do të mbajë në mbrëmje.
XS
SM
MD
LG