Lidhje

Shkarkohet nga detyra prokurori i arrestuar i Sarandës, Sali Hasa


Prokurori Sali Hasa

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra të premten prokurorin e arrestuar të Sarandës, Sali Hasa, pasi nuk justifikonte pasurinë me burime të ligjshme.

Seanca për Hasën, i cili prej tre muajsh ndodhet në arrest me burg për akuzën e korrupsionit, u mbajt pa praninë e tij dhe të avokatit si në seancën dëgjimore edhe në shpalljen e e vendimit.

Prokurori u hetua nga Shkalla e Parë e Vetingut vetëm për kriterin e pasurisë.

Sipas Komisionit të Kualifikimit, Hasa nuk ka bërë deklarim të saktë si dhe ka fshehur pasurinë. Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur dy ditë më parë u relatuan mospërputhje dhe paskatësi në deklarimin e pasurive dhe burimeve të krijimit të tyre.

Po ashtu, Komisioni ka gjetur mungesë burimesh të ligjshme në vlera të mëdha për krijimin e tyre dhe shpenzimet nga viti 2004 deri në vitin 2020 si dhe paqartësi në dhurimin e dy parcelave tokë në bregdet në favor të fëmijëve nga një person jashtë rrethit familjar.

Prokurori Sali Hasa ndodhet në gjendje paraburgimi që prej muajit qershor të këtij viti, pas një urdhëri të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas SPAK ai dyshohet se i mori një shumë parash për të pushuar dosjen e një të pandehuri në Sarandë , i cili akuzohej dhe ishte vënë nën hetim për plagosje.

XS
SM
MD
LG