Lidhje

Një avion bën ulje të detyruar në San Francisco


Një avion pasagjerësh i kompanisë Asiana Airlines me 307 pasagjerë si dhe ekuipazhin në bord u rrëzua gjatë zbritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të San Franciskos dje, duke shkaktuar vdekjen e të paktën dy vetëve.

Shefja e Ekipit të Zjarrfikësve të San Franciskos Joanne Hayes-White thotë se rreth 130 vetë u lënduan, disa lehtë, të tjerët në gjendje kritike. Një person ende figuron i zhdukur.

Fluturimi 214 u nis nga Shangai në Kinë, bëri një ndalesë në Seul të Koresë së Jugut para zbritjes në San Francisko.

Pamjet televizive tregojnë avionin e tipit 777 në tokë, me bishtin e shkëputur nga trupi dhe një nga krahët që duket se është dëmtuar. Mbeturina, siç duket nga shkëputja e bishtit të avionit, ishin përhapur në fushën e aviacionit.

Dëshmitarët thonë se avioni u afrua për zbritje në një kënd të pazakontë dhe në momentin që preku tokën u lëkund, u rrotullua në vend dhe më pas bishti u shkëput nga trupi.

Presidenti Obama thotë se po u përcjell lutje dhe mesazhe ngushëllimi familjeve që humbën njerëz të dashur në këtë fluturim. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për ekipet e ndihmës së shpejtë që u erdhën në ndihmë personave të prekur nga incidenti.
XS
SM
MD
LG