Kur Sara Dwyer la një punë fitimprurëse në bankë për të kaluar një vit në Francë, ajo nuk kishte idenë se kjo do t'i jepte asaj mundësinë për të realizuar pasionin e saj të fëmijërisë. Pothuajse dhjetë vjet më vonë, sipërmarrësja amerikane është më e lumtur se kurrë më parë dhe po e përhap atë gëzim tek klientët dhe punëtorët e saj ... me produktet e çokollatës. Amerikanët konsumojnë çokollatë me një ritëm
pothuajse katër kile e gjysmë për person çdo vit. Nesër është Dita e Shën Valentinit dhe konsumimi i çokollatës rritet ndjeshëm pasi të dashuruarit në të gjithë Amerikën e ndajnë atë me njëri-tjetrin si një shprehje të dashurisë së tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh sjellë hollësitë.
Sarah Dwyer e ka dashur gjithmonë çokollatën, veçanërisht karamelet.
"Kur isha e vogël, kontrolloja të gjitha kutitë për të gjetur karamelet e mbuluara me çokollatë, kështu që krijova një kompani që merret vetëm me prodhimin e karameleve të mbuluara me çokollatë!", thotë ajo.
Kompania Chouquette Chocolates është themeluara gati dhjetë vjet më parë dhe Dwyer dhe ekipi i saj vazhdojnë të përgatisin ende një sasi të vogël karamelesh me dorë për një grup konsumatorësh në rritje.
Ideja për realizimin e pasionit të saj të fëmijërisë i lindi në vitin 2009 gjatë një vizite një vjeçare në Francë, ku vendosi të regjistrohej në shkollën e kuzhinës Cordon Bleu në Paris.
"Më pëlqeu shumë kur fillova të gatuaja ëmbëlsira! Dhe ajo që kuptova ishte se askush nuk po gatuante karamele të mbuluara me çokollatë ashtu siç më pëlqenin mua, në Shtetet e Bashkuara", thotë Sarah.
Zonja Dwyer përdor çokollatë të cilësisë së lartë nga një furnizues në Kaliforni, kallam sheqeri natyral, kokërra vanili nga Madagaskari si dhe gjalpë dhe kripë deti nga Franca.
Sarah Dwyer, themeluese e kompanisëa Chouquette Chocolates
"Të gjithë këta përbërës përdoren për prodhimin e çokollatave më të mira."
Karamelët e saj vijnë në 16 shije të ndryshme, secili me dizajnin e tyre, dhe mund të përgatiten edhe në bazë të shijes personale.
Ajo i shet ato në internet dhe në rreth dyqind dyqane në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Një nga linjat më të njohura pasqyron monumentet e njohura të Uashingtonit, ku ajo ka selinë.
"Ne prodhojmë çokollata bazuar në pamjen e pesë monumenteve të Uashingtonit që më pëlqejnë mua", thotë ajo.
Një tjetër produkt popullor është serija e saj e frymëzuar nga gratë e fuqishme amerikane, të quajtura "Gratë Fenomenale".
"Të gjithë e duan Oprah-n kështu që ne krijuam një produkt të quajtur “Të frymëzuar nga Oprah”, pastaj “Fito si Serena”, “Veproni si Michelle”, “Sundoni si Ruth"
Ruth, i referohet anëtares së Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg.
“Sundoni si Ruth është prodhiumi më i shitur gjatë festave".
Por ndoshta pjesa më pozitive e biznesit të saj është personeli i saj, rreth gjysma e të cilëve kanë probleme neurologjike.
"Ata janë punonjësit më të mirë që kam pasur ndonjëherë. Nuk është fare një bamirësi, është vendimi më i mirë i biznesit që kam bërë ndonjëherë", thotë Sarah Dwyer.
Gladys Martinez, punonjëse, kompania Chouquette Chocolates
"Unë mendoj se është një përvojë e mrekullueshme. Të gjithë këtu janë shumë të hapur, shumë të mirë".
Sam Trainum, punonjës, kompania Chouquette Chocolates
"Kjo më bën të ndihem mirë, nuk kam frikë të vijë në punë siç ndodhte me vende të tjera pune. Kam bërë disa punë të tjera para se të vija këtu. Vërtetë më pëlqen të punoj këtu".
Zonja Dwyer ka klientë të ndryshëm, nga hotele luksoze dhe linjat e mëdha ajrore, deri te panairet e distriktit dhe tregjet ushqimore lokale.
Dwyer thotë se tani nuk mund të imagjinojë një punë tjetër.
"Ne prodhojmë çokollata, karamele me forma të lloj-llojshme, por bashkimi i këtyre elementeve krijon diçka magjike", thotë zonja Dwyer.
Facebook Forum