Lidhje

Seancë për avokatin Cohen, shfaqet emri i personalitetit televiziv, Hannity


Një jurist në Nju Jork ka zbuluar faktin se avokati personal i Presidentit Trump, Michael Cohen, i cili është nën hetim penal për çështje të bizneseve të tij, ka ofruar në mënyrë të fshehtë këshilla ligjore për personalitetin e njohur televiziv dhe mbështetësin e zotit Trump, Sean Hannity.

Ky fakt u zbulua të hënën nga avokati i zotit Cohen gjatë një seance në gjykatën federale të Nju Jorkut.

Seanca u mbajt sepse avokatët që përfaqësojnë zotin Cohen dhe Presidentin Trump, i kishin kërkuar gjykatëses leje për të parë dokumentet që agjentët e FBI-së sekuestruan javën e kaluar nga zyra, shtëpia dhe dhoma e hotelit e zotit Cohen, si pjesë e hetimit që po i bëjnë financave të tij.

Hetimi lidhet me akuzat se Cohen mund të ketë paguar aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen Karen McDougal që ato të mos flisnin për marrëdhëniet intime me zotin Trump.

Avokati i zonjës Daniels, Michael Avenatti, komentoi kështu për nxjerrjen në seancë të emrit të zotit Hannity:

"Mendoj se kjo flet shumë. Sean Hannity u la në baltë nga avokati i zotit Michael Cohen, i cili është më i shqetësuar për mbrojtjen e presidentit sesa për mbrojtjen e zotit Hannity, por ata le t’i zgjidhin vetë punët er tyre.”

Menjëherë pas largimit të zotit Cohen nga gjykata, Sean Hannity u vu nën kritika për faktin që nuk i kishte zbuluar marrëdhëniet e tij me avokatin Cohen. Ndërkaq, në emisionet e tij në radio dhe televizion, ai kritikoi ashpër FBI-në për bastisjen që i bëri zyrave të avokatit Cohen.

Hannity, i cili ka një emision mjaft të ndjekur në televizionin Fox News, tha se nuk ishte klient i zotit Cohen, por se ky i fundit thjesht i kishte dhënë këshilla për disa çështje ligjore.

Avokati i zotit Cohen i ka quajtur bastisjet një incident i pashembullt. Ai nuk ka pranuar që materialet e konfiskuara të shqyrtohen nga një grup i veçantë prokurorësh për të vendosur se cilat mund të përdoren nga hetuesit dhe cilat hyjnë në kategorinë e privilegjit avokat-klient.

Por gjykatësja e hodhi poshtë kërkesën. Prokurorët do t’i vendosin dokumentet në një bazë të dhënash, pa i lexuar ato, por ku mund të kërkosh sipas fjalëve kyçe. Kjo bazë të dhënash do të ndahet me avokatët e zotit Cohen dhe të presidentit.

Ndërkaq, palët do të kthehen në gjykatë pas disa javësh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG