Lidhje

Shtohen masat e sigurisë nëpër xhami


Sulmet e fundit në objekte fetare kanë bërë që disa xhami në botë të rrisin masat e sigurisë, gjatë muajit të Ramazanit. i tillë është rasti i xhamisë Dar al-Hijrah në shtetin amerikan të Virxhinias. Shtimi i masave mbrojtëse bëhet pas disa incidenteve në objekte fetare të vendeve të ndryshme.

Për miliarda myslimanë të botës, muaji i Ramazanit është koha e bashkimit, agjerimit dhe lutjeve.

Është po ashtu koha kur duhen shtuar masat e sigurisë, duke marrë parasysh sulmet e fundit në disa objekte fetare.

11 persona u vranë në sinagogën e Pensilvanisë vitin e shkuar. Në mars të këtij viti, një person i armatosur në Australi vrau 51 njerëz në dy xhami në Christchurch.

Sulmet e armatosura ndryshuan gjithçka, thotë një besimtar mysliman.

“Që nga incidenti që ndodhi në Zelandën e Re, qendrat islamike, xhamitë në SHBA dhe rreth botës besoj se kanë marrë masa sigurie. Nëse shkon në xhami për lutjet e së premtes ose ato ditore, do të shohësh prani të shtuar sigurie.”

Në xhaminë Dar al-Hijrah të Virxhinias, gjatë gjith ditës mund të shohësh personel sigurie.

Imami Mohamud Ahmed Diriye thotë se jetët e afër një mijë besimtarëve janë përparësi e ditës.

“Kjo është si çdo xhami tjetër në vend. Duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk kemi pse të shqetësohemi, kemi liri që të ushtrojmë fenë tonë.”

Pas vrasjeve në Christchurch, xhamia në Virxhinia nisi trajnime për kundërpërgjigje në rast sulmi me armë.

“Të gjithë këtu vijnë me fëmijë dhe gra. Të gjithë ndihen shumë të sigurtë.”

Rojet e sigurisë mohojnë të kenë marrë ndonjë kërcënim. Abdulqadir Ismael numëron tre faktorë që e mbrojnë këtë objekt fetar.

“Numri një është Zoti. Pastaj stafi i sigurisë së xhamisë dhe së treti policia e qarkut Farifax.”

Edukimi më i mirë i besimtarëve jo-myslimanë shton sigurinë e tyre, thotë një predikues tjetër në këtë xhami.

“Një nga programet që ofrojmë ne është marrëveshja e besimit ndër-fetar. Të martave, ata që kanë mungesë besimi mund të marrin njohuri mbi islamin, librin e shenjtë kuranin dhe gjëra të kësaj natyre. Prandaj besoj se edukimi është çelës për gjithçka.”

Muaji i Ramazanit në Uashington deri tash po kalon pa ndonjë problem. Udhëheqësit myslimanë thonë se shpresojnë që muaji i agjerimit të mbyllet me fokus reflektimin shpirtëror në vend të sigurisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG