Lidhje

McConnell: Do t’i jepet fund ngërçit


Udhëheqësi i ri republikan i Senatit amerikan është zotuar se do të rivendosë funksionalitetin në këtë institucion dhe do të ndihmojë në dhënien fund të ngërçit politik në Uashington. Demokratët, tani në pakicë, janë zotuar se do të tregojnë vetëpërmbajtje sa i përket bllokimit të votimeve në senat. Siç tregon materiali në vazhdim, këto shprehje e vullnetit për marrëdhënie të mira dhe optimizëm janë të zakonshme në fillim të punës së një Kongresi të ri, por shumë shpejtë ato vihen në provë në betejat e ashpra dhe të pasionuara politike.

Për vite të tëra, Senati ka qenë një pikë bllokimi për legjislacionet, nga reforma e ligjit për armëmbajtje deri te zgjerimi i asistencës për të papunët. Rregullat e Senatit i japin partisë në pakicë mundësinë që të bllokojë miratimin e shumicës së projektligjeve, një taktikë që Republikanët e kanë përdorur në mënyrë të përsëritur për të ndalur nismat e demokratëve, duke e zhgënjyer udhëheqësin e kaluar të shumicës, demokratin Harry Reid.

"Pengimi republikan është bërë endemik në Senat gjatë pesë viteve të fundit, duke e ndalur punën e këtij institucioni".

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, senatori Mitch McConnell, nuk shprehu keqardhje për këtë:

"Nëse demokratët vërtetë duan të arrijnë diçka këtë vit, ata do të duhet të mësohen se si të punojnë me ne".

Tani që republikanët kanë shumicën, rolet kanë ndryshuar. Si udhëheqës i shumicës, senatori McConnell të mërkuren bëri thirrje për arritjen e synimeve të përbashkëta.

"Duhet ta kthejmë funksionalitetin në Senatin që e duam. Të përqëndrohemi në fushat ku kemi marrëveshje, kur të mundemi. Dhe mbi të gjitha, ta bëjmë Uashingtonin të punojë përsëri për njerëzit të cilëve u shërbejmë".

Senatori McConnell është zotuar të lejojë më shumë debate të hapura dhe më shumë mundësi për senatorët e të dyja palëve që të ofrojnë ndryshime për projekligjet nën shqyrtim. Për momentin, demokratët kanë premtuar se nuk do të bllokojnë çdo projektligj të republikanëve.

Senatori Richard Durbin:

"Ne do të tregojmë se demokratët në senat janë një pakicë shumë më e mirë se sa ata të partisë tjetër".

Analisti politik John Hudak thotë se aspiratat fisnike do të kapitullojnë para politikës së ashpër të Senatit dhe ngërçi do të rifillojë.

"Kjo është diçka që si demokratët ashtu edhe republikanët e kanë bërë në të kaluarën. Unë mendoj se në fund të fundit, pavarësisht nga të gjitha premtimet për më pak bllokim dhe për një kthim të rregullit, Kongresi i 114 do të jetë i ngjashëm me Kongresin e fundit".

Ndarjet e thella ideologjike do të mbeten. Premtimet e republikanëve për një axhendë pro-biznesit do t’i zemërojnë demokratët ndërsa premtimet e demokratëve për të mbrojtur programet e qeverisë nga të cilat përfitojnë të varfërit do të bien ndesh me objektivat e republikanëve për të shkurtuar buxhetin.

XS
SM
MD
LG